Trajneri: Është sfidë e bukur, më entuziazmon shumë
Edy Reja do të vijojë të punojë si trajner i Kombëtares. 74-vjeçari pranoi gjatë një interviste për gazetën “Corriere dello Sport” se është pjesë e projektit të Federatës Shqiptare të Futbollit edhe pse zyrtarizimi ende nuk ka ardhur.
“Kjo është një sfidë e bukur, që nuk ka të bëjë vetëm me Kombëtaren, por me stafin tim do të mbikëqyr të gjithë lëvizjen futbollistike në Shqipëri”, tha ai.
Federata Shqiptare e Futbollit i ka ofruar Rejës një kontratë 4-vjeçare për eliminatoret e Botërorit 2022 dhe Europianit 2024. Reja tregon për synimet që ka me kuqezinjtë.
“2022 është larg. Akoma më shumë 2024, Europiani është objektivi i vërtetë i Kombëtares. Mua më intereson që të ndërtoj diçka të qëndrueshme”, është shprehur ai.
Para kualifikueseve të këtyre dy aktiviteteve Shqipëria do të marrë pjesë në sezonin 2020-2021 të Ligës së Kombeve, që shërbejnë në këtë drejtim. Me Edy Reja Kombëtarja luajti 8 ndeshje të eliminatoreve të Euro 2020, nga të cilat fitoi 3, barazoi 1 dhe humbi 4. Trajneri në pak muaj me kuqezinjtë ka punuar me shumë për rinovimin e grupit.
Tv Klan