260 pacientë të shtruar, 15 në terapi intensive
Një tjetër rekord të infektuarish në Shqipëri, pasi janë zbuluar 306 pozitivë nga 1412 testime me Covid-19 në 24 orët e fundit. Tirana mbetet vatra më e madhe me 179 raste të reja.
4 pacientë nuk arritën t’i mbijetonin virusit mes tyre një 21-vjeçar nga Elbasani me disa sëmundje shoqëruese. Nuk e fitoi dot betejën prof. Elmaz Elezi, mjeku i njohur 85-vjeçar, ish-drejtues i klinikës infektive në QSUT.
Një tjetër qytetar nga Elbasani 49 vjeç dhe një 70-vjeçar nga Kurbini me sëmundje shoqëruese janë pacientët e tjerë që nuk mbijetuan, duke e çuar në 469 numrin e përgjithshëm të viktimave prej fillimit të pandemisë.
Situata mbetet shqetësuese në spitalet Covid në vend pasi janë 260 pacientë të shtruar, ku 15 prej tyre ndodhen në terapi intensive nga të cilët 6 të intubuar.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 71 persona, duke e çuar në total 10466 numrin e të shëruarve në të gjithë vendin prej fillimit të pandemisë. Numri i rasteve aktivë është 7621.
Tv Klan