Lajme Arkiva 2003

Gjendja shëndetësore e policëve të akuzuar për moskallëzim krimi në çështjen Tahirllari, të cilët ndodhen në grevë urie është përkeqësuar duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të spitalit të Korçës. Dy prej policëve Sokol Gurishta dhe Robert Qyli ndodhen në ditën e 4 të grevës së urisë ndërsa 42 vjeçari Albert Myftari, ndodhet në ditën e 5 të kësaj greve.

Mbi të tre efektivët blu të komisariatit të Korçës, pas vdekjes së Gazmend Tahirllarit si pasojë e dhunës së ushtruar nga policia rëndon tashmë kauza për moskallëzim të krimit, por të tre policit kërkojnë takim të menjëhershëm me prokurorin e çështjes Vangjel Tanillari për ndryshimin e kësaj akuze.

Ata pretendojnë se ditën e ngjarjes kanë vene ne dijeni shefin e komisariatit të policisë së Korçës duke i rrëfyer gjendjen shëndetësore të Tahirllarit. Sipas burimeve nga Spitali Rajonal i Korçës, të tre policëve u është dhënë ndihma e parë mjekësore me sërum, por gjendja e tyre shëndetësore sa vjen dhe rëndohet.

Policët grevistë do të vazhdojnë të jenë në spitalin e Korçës nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të mjekëve. Ndërsa mjekët kanë kërkuar që 24 vjeçari Albert Myftari, gjendja e të cilit është tepër e rënduar të ndërpresë menjëherë grevën e urisë, pasi rrezikohet jeta e tij./tvklan.al