Seanca plenare ditën e sotme ka vazhduar me tensione dhe debate. Në qendër të diskutimeve ka qenë reportazhi kushtuar Shqipërisë nga emisioni investigativ “Report” të transmetuar në televizionin italian Rai3.

Mazhoranca dhe opozita kanë shkëmbyer mes tyre akuza për sa i përket korrupsionit dhe imazhit të Shqipërisë në raport me të huajt.

Në një intervistë për Klan Neës, deputetja e PS, Evis Kushi tregon debatet dhe diskutimet që janë zhvilluar ditën e sotme edhe në Komisionin e Edukimit dhe Medias.

“Po ka pasur një debat të gjatë, një debat të ashpër sot në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e informimit Publik. Në lidhje me kërkesën e deputetes Ina Zhupa për të zhvilluar një seancë të posaçme dëgjimore në Komisionin e Medias dhe të Informimit Publik pikërisht për çështjen e emisionit të transmetuar nga televizioni Rai 3. Në fakt unë e shpreha edhe sot në komision se më shqetëson, më habit dhe nuk arrij ta kuptoj se si disa nga opozitarët tanë, kolegë, deputetë të opozitës shqetësohen kaq shumë për telefonatën e kryeministrit ndërkohë që nuk shqetësohen për shpifjet, për akuzat, për denigrimin që iu bë shtetit shqiptar dhe shqiptarëve në atë emision,” thotë Evis Kushi.

Deputetja Kushi akuzat e emisionit italian i ka cilësuar të pavërteta dhe të pa baza. Ajo shton më tej se çdo shqipatr apo edhe opozitar duhet të shqetësohet për akuzat e ngrituar dhe jo për telefonatën e kryeministrit Edi Rama.

 “Akuza të pabaza, fakte që mungonin, hapa mbrapsht që i bëri vetë televizioni Rai3 lidhur me censurimin e opinionit dhe të intervistës të njërit prej të akuzuarve, ndërkohë që opozita shqetësohet pse kryeministri telefonoi dhe kërkoi që të dëgjohet e vërteta dhë kërkoi që të vihet në vend dinjiteti i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kërkoi që të ruhet dhe të mbrohet imazhi i Shqipërisë. Pra kjo është shumë e çuditshme. Nuk shqetësohen se si emisioni, çka u provua nga vetë ata, sepse u tërhoqën një hap mbrapa, u provua që nuk kishin fakte. Akuzat madje ishin të fabrikuara këtu në Shqipëri dhe u eksportuan në Itali, për t’u sjellë pastaj si vlerësime të institucioneve të huaja. Pra kjo nuk i shqetësoi aspak për të mos thënë që një pjesë të kolegëve të opozitës edhe mund t’i ketë gëzuar ky fakt,”shton më tej ajo.

Telefonatën e Krymenistrit Rama ndaj televizionit publik italian Kushi e cilësoi si një përpjekje për t’u dëgjuar e vërteta dhe për t’u mbrojtur dinjiteti i Shqipërisë.

“Ne të gjithë kemi jo vetëm të drejtën ta bëjmë këtë, të mbrojmë shtetin shqiptar por e kemi edhe detyrim. Pikërisht këtë ka bërë edhe Kryeministri i Shqipërisë, nuk ka bërë as presion, nuk ka kërkuar të ndërhyjë as te fjala e lirë, ka kërkuar të dëgjohet vetëm e vërteta. Dhe në fakt ajo u bë, sepse ishte vetë emisioni, vetë drejtuesit që më pas e transmetuan shkresën që i ishte dorëzuar emisionit nga një prej të akuzuarve. Thirrja që u bëra kolegëve në komision ishte që sidomos kur është fjala për çështje të tilla të gjithë ne bashkë duhet të mbrojmë dinjitetin e shtetit shqiptar, për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë. Dhe vetë kryeministri gjatë intevistave që dha këtyre ditëve deklaroi se, në gjuhë të huaj nuk flas kurrë keq për opozitën shqiptare”.

/tvklan.al