Deputetja Evis Kushi, e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, foli për përgatitjet e festës së Ditës së Verës. Kushi tha se përgatitjet për Ditën e Verës kanë filluar në Elbasan, si qyteti që identifikohet me 14 Marsin.

Rudina Magjistari: Kanë filluar përgatitjet e festimeve?

Evis Kushi: Patjetër. Qyteti është zbukuruar, sidomos qendra. Bashkia ka përgatitur një agjendë shumë të larmishme, me aktivitete, koncerte dhe ekspozita. Filluam me panairin e nxënësve të shkollave. Çdo kategori jep kontributin e vet në qytet për të festuar. Artistët e qytetit organizojnë koncerte, nxënësit e shkollave organizojnë karnavalet dhe panaire të ndryshme. Bashkia fton këngëtarët më të njohur dhe më popullorë.

Kushi gjithashtu solli dhe një përshkrim të prejardhjes së ditës së verës, duke thënë se zanafilla e kësaj dite, vjen nga Foltorja e Zanës së Çermenikës. Kushi tha se 14 Marsi është një festë pagane, që vjen që përpara krishterimit.

Rudina Magjistari: Dita e Verës ka shumë rituale që bëhen në emër të fatit të mirë, të një pranvere të mbarë, të një viti të begatë përpara.

Evis Kushi: Simbolizon ardhjen e pranverës, ripërtëritjen e natyrës, rigjallërimin e jetës dhe një fillim të ri. Pyetja që më bëhet shpesh është pse i thonë dita e verës dhe jo e pranverës, se në fakt, simbolizon pranverën. Kjo është një festë pagane, vjen që përpara krishterimit, atëherë kur kalendari kishte dy stinë, vera dhe dimri. Kjo ishte dita kur mbaronte dimri dhe fillonte vera. Në fakt, ka qenë Faltorja e Zanës së Çermenikës tamam zanafilla , perëndesha e natyrës, gjuetisë dhe pyjeve. Dilte njëherë në vit, dhe dilte pikërisht më 14 mars. Pikërisht për këtë arsye është zgjedhur kjo ditë, qysh atëherë, që të festohet si dita që simbolizon ardhjen e pranverës. /tvklan.al