Qeveria shqiptare ka zhvilluar mbledhjen e radhës ku janë miratuar disa vendime të ndryshme. Siç është bërë zakon, ministrat dolën në një konferencë për mediat pas përfundimit të mbledhjes ku bënë të ditura vendimet që u morën.
Ahmetaj: Rritet me 7 mld Lekë fondi i rindërtimit për vitin 2021
Programi i rindërtimit për vitin 2021 ka kaluar në 35 miliardë lekë. Lajmin e bëri të ditur zv/kryeministri Arben Ahmetaj, i cili tha se avancimi është bërë për të përshpejtuar të gjitha proceset e rindërtimit dhe do të përfshijë financimin e Bashkisë së Tiranës dhe 10 bashkive të tjera.
“Llogaria e rindërtimit, pra gjithë fondi i rindërtimit për këtë vit kalon nga 28 miliardë lekë në 35 miliardë lekë. Avancimi është bërë për të përshpejtuar të gjitha proceset e rindërtimit që të kthejmë në shtëpitë e tyre apo në shtëpitë e reja të rindërtuara, të ndërtuara, më bukur, më fort e më moderne apo në shkolla, apo në kopshte, apo në ndërtesa publike të gjithë qytetarët, të gjitha ato institucione që më 26 Nëntor 2019 u detyruan të largoheshin qoftë nga shtëpitë për qytetarët e dëmtuar, qoftë edhe për institucionet publiket”, tha Ahmetaj.
Ahmetaj tha se këtë fundvit do të ketë një numër të madh familjesh që do të hyjnë në shtëpitë e tyre në Thumanë, Durrës, Tiranë, Kavajë, Kurbin, Manzë etj.
Peleshi: Hapet rruga për ndërtimin e bazës ajrore të Kuçovës, në Janar nisin punimet
Është hapur rruga për ndërtimin e bazës ajrore të Kuçovës. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha pas mbledhjes së qeverisë se sot u kompletua kuadri rregullator dhe ligjor ndërsa punimet pritet që të nisin në Janar.
“Në mbledhjen e sotme sapo miratuam një vendim që lidhet me projektin më madhor në fushën e zhvillimit të infrastrukturës së Forcave tona të Armatosura në bazën ajrore të Kuçovës që me vendimin e sotëm kompleton kuadrin rregullator dhe ligjor dhe i hap rrugën fillimit të punimeve. Në ditët e para të Janarit ne do të vendosim në mënyrë simbolike gurin e parë të bazës taktike të Kuçovës, një bazë taktike e NATO-s. Një lajm shumë i mirë edhe për familjet që preken nga vendimi i sotëm i shpronësimit. Ju siguroj që do të shpronësohen në vlerën e plotë të tregut bazuar në të gjitha aktet ligjore dhe pa asnjë vonesë. Për banorët e zonës është një lajm dyfish i gëzuar sepse është një investim prej 50 milionë Euro që do të thotë zhvillim ekonomik, punësim për të gjithë zonën përreth”, tha Peleshi.
Baza e Kuçovës sipas ministrit është shumë e rëndësishme edhe për sigurinë e rajonit.
Vetëm për fazën e parë të projektit do të financohen 50 milionë Euro nga fondet e NATO në partneritet me qeverinë shqiptare.
Aeroporti i Kuçovës është ndërtuar në 1955. I vetmi investim i kryer në këtë bazë është në 2004, por aktualisht edhe pse qëndron i hapur është në gjendje të amortizuar.
Balluku premton: Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, pas mbledhjes së qeverisë ka konfirmuar se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Në fjalën e saj, Balluku ka thënë se për të siguruar që do ta mbajnë premtimin kanë miratuar disa akte, të cilat kanë si qëllim mirëkoordinimin midis prodhuesit shtetëror të energjisë elektrike dhe operatorit të shpërndarjes me të gjitha ndërmarrjet bija.
Belinda Balluku: Sot kemi bërë disa ndryshime shumë të rëndësishme të cilat për të adresuar këtë krizë energjetike janë të nevojshme këto masa dhe qëllim ka mirëkoordinimit midis Koorporatës Elektroenergjetike, pra prodhuesit shtetëror të energjisë elektrike dhe operatorit të shpërndarjes me të gjitha ndërmarrjet bija që ai ka krijuar në bazë të kërkesave të BE-së për rregullimin e Sektorit. Shoqëria KESH ka detyrimin e furnizimit publik dhe duhet të furnizojë furnizuesin FSHU me të gjithë sasinë e nevojshme, për qëllime të plotësimit të kërkesës së plotë të tregut të rregulluar, grupi i abonentëve familjarë dhe i biznesit të vogël sipas çmimit për njësitë e enegjisë elektrike të miratuar nga Asambleja e përgjithshme e shoqërisë. Pra KESH detyrohet të prodhojë dhe të dorëzojë pranë shpërndarësit 4.6 terra, aq sa është sasia mesatare për vit, që kërkohet për mbulimin e nevojës së abonentëve familjarë dhe atyre të biznesit të vogël. Duke konsoliduar kështu që çmimi për abonentët familajrë dhe bizneset e vogla do të mbetet i pa ndryshuar, pasi detyrimi i këtij shërbimi i kalon KESH-it. Sigurisht në përmbushjen e këtij detyrimi nevojitet marrja e masave shtesë nga Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare të cilat do të ndihmojnë në plotësimin e kësaj sasie të nevojshme në rastet e pamundësisë së prodhimit nga kaskada e Drinit që është prodhuesi kryesor.
Kushi: Nënshkruam marrëveshjen me BE-në për programin e kërkimit shkencor dhe inovacionit
Ministrja e Arsimit, Evi Kushi në fjalën e saj ka folur për marrëveshjen e nënshkruar midis Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Unionit. Në fjalën e saj, Kushi ka thënë se marrëveshja e nënshkruar është në kuadër të kërkimit shkencor dhe inovacionit.
Evi Kushi: Sot miratuam marrëveshjen midis Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin e Unionit, i cili është programi kuadër për kërkimin shkencor dhe inovacionin. BE synon që të krijojë një treg të vetëm, për të nxitur bashkëpunimin mes universiteteve dhe kërkimit shkencor. Mbi të gjitha duke promovuar lirinë e kërkimit shkencor. Marrëveshja që miratuam përfshin kushtet dhe kriteret për të marrë pjesë në këtë program. Ministria e Arsimit paguan një kontribut që të gjitha institucionet të kenë mundësi të marrin pjesë në këtë projekt. Sfida jonë është që të përthithim në këtë program sa më shumë fonde.
Konkurrenca është e lartë, por ne si ministri do të ofrojmë të gjithë asistencën për universitetit për të rritur kapacitetin. Unë jam optimiste sepse universistet janë duke bërë një progres të madh në bashkëpunim me universitet botërore apo europiane. Fundjavën që lamë pas bashkë me kryeministrin ishin në Miçigan, ku nënshkrum një marrëveshje mes tyre dhe 6 universiteteve publike të Tiranës. Me këtë progres që po bën universiteti jonë, këtë herë përfitimet do të jenë të larta në krahasim me kontributin që ne paguajmë.
Miratohet plani për kontrollin e armëve, Çuçi: Parashikohen ndryshime edhe në Kodin Penal
Qeveria do të ndërmarrë disa ndryshime në Kodin Penal në mënyrë që të parandalojë posedimin e armëve në mënyrë të paligjshme. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se do të merren masa për të kriminalizuar trafikimin e armëve përmes kolive postare apo posedimin e pajisjeve që mundësojnë printimin 3D të armëve. Çuçi tha se qeveria miratoi planin e veprimit për vitin 2022-2024 që sipas tij është një strategji gjithpërfshirëse që synon të parandalojë posedimin e armëve në mënyrë të paligjshme.
“Sot u miratua në qeveri plani i veprimit për vitin 2022-2024 për zbatimin e strategjisë për kontrollin e armëve të lehta, të vogla, eksplozive dhe municioneve. Siguria mbetet prioritet i qeverisë dhe kryerja e krimeve me armë zjarri është shqetësims jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Ky plan parashikon që të parandalojë posedimin e armëve pa leje në duart e civilëve, synon parandalimin dhe kontrollin e trafikut të armëve të lehta dhe të forta dhe synon disiplinim të fortë të licencimit të përdorimit të armëve luftarake dhe të gjahut si dhe disiplinimin e forcave private të sigurisë. Janë parashikuar shumë masa, që kanë të bëjnë edhe me fenomene të reja që kanë lindur në botë. Kemi parashikuar që të bëjmë disa ndryshime në Kodin Penal dhe të kriminalizojmë disa figura të reja që kanë të bëjnë me krimin siç është ajo e trafikimit përmes kolive postare, apo kemi kriminalizuar posedimin e pajisjeve që mundësojnë printimin 3D të armëve”, tha Çuçi./tvklan.al