Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, vijon takimet me asambletë rajonale në kuadër të organizimit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2009-tës.

Ndalesa e radhës për kreun republikan ishte qyteti i Fierit nga ku Mediu ka qartësuar dhe një herë pozicionin e Partisë Republikane për të kontribuuar maksimalisht në fitoren e së djathtës.

Ai ka kërkuar hartimin e një kodi zgjedhor që nuk duhet të favorizojë vetëm dy partitë e mëdha, por t’u japë shansin edhe subjekteve të tjera për të garuar si të barabartë në zgjedhje.

Fatmir Mediu: “Ne kemi pasur vërejtjet tona për kodin zgjedhor. Është një kod zgjedhor, i cili tenton të monopolizojë politikën shqiptare. Krijoi dy monopole, një në të djathtën, një në të majtën”.

Kreu republikan shtroi nevojën e mbledhjes së koalicionit për të vendosur nëse partitë do të garojnë të vetme ose jo në zgjedhje.

Në fjalën e tij Mediu falënderoi presidentin Bush për firmosjen e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO./tvklan.al