Reshjet e shiut të rëna gjatë ditëve të fundit kanë rikthyer problemin e ndotjes së ujit të pijshëm në Berat.

Qytetarët kanë parë se uji që ka ardhur në çezmat e tyre ka qenë tepër i ndotur. Uji ka ardhur me ngjyrë në të gjitha lagjet e qytetit.

Sipas drejtorit të ujësjellësit, janë marrë masa për klorifikimin e depove të ujit.

Fatmir Shehu: “Përballemi me një rrjet infrastrukturor që furnizon me ujë qytetin dhe largon ujërat e ndotura, tejet të vjetruar dhe problematik. Turbullira në rast reshjesh intensive njihet si fenomen natyror. Për rastin e ujësjellësit të Bogovës negativisht ka influencuar dhe nxjerrja e pllakave të gurit të basenit ujëmbledhës të këtij burimi.”

Ndërkohë Drejtoria e Shëndetit Publik u ka kërkuar qytetarëve të mos konsumojnë ujin deri në një urdhër të dytë.

Kjo situatë është përsëritur edhe kohë më parë, por deri tani nuk ka gjetur një zgjidhje përfundimtare./tvklan.al