Në vend që të na çudisin vendet me duhan tek ne ndodh e kundërta. Bëjnë habi ato ku duhani nuk pihet.
Në kryeqytetin shqiptar me zor zbulohet ndonjë bar kafe, internet kafe apo fast food shembullor ku mund të thithësh ajër të papërzier me tymnajë vrasëse dhe erëkeqe.
Aty ligji anti-duhan respektohet fatmirësisht pa mëshirë sepse së pari nuk e durojnë dot vetë pronarët. Respektimi i ligjit tek ne varet vetëm nga parapëlqimet dhe ndërgjegjja e tyre.
“Tajvanin e dini si dega që ka dhe shumë ambiente dhe duhani atëherë u pinte në masë. Kjo ishte e re, dmth, është hapur në 2006-tën në Dhjetor dhe duke parë që në të gjithë Tiranën u pinte cigare vetë pronarët, dmth, menduan që këtë pjesë zgjedhin ta lejnë pa duhan”.
“Duke u nis nga ambienti se është tepër i mbyllur dhe shkak është edhe vetë nuk e pi edhe nuk e duroj me thënë të drejtën. Thashë edhe provat i kemi bërë në ambient, por e kemi parë që ishte shumë bllokim frymëmarrje”.
Por kjo nuk i ka lënë aspak klientë, përkundrazi. Të gjitha mbushen plot sepse në to grumbullohen të gjithë anti-duhanpirësit, ndërsa pjesa tjetër tymos ku t’i teket dhe sa herë t’i teket pa ndjerë askush pikën e keqardhjes për njerëzit rreth e rrotull.
Në ambientet e brendshme smogu është mbytës, i padurueshëm, por edhe jashtë apo në rrugë jo më pak sepse duhanpirësit shqiptarë janë të shumtë dhe të kudondodhur, aq sa parfumosin edhe ajrin nëpër trotuare, por sfilitja nuk mbaron këtu.
Edhe në zyrë duhet të përgatitesh dhe kalitesh për të duruar jo pak, por tetë orë tekat e shefave duhanpirës apo në raste të tjera të neglizhencës së tyre ndaj të tjerëve dhe nëse dëshiron të çlodhesh në ndonjë bar kafe të pret një fat edhe më i keq.
“Se duroj dot. Dal nga ambienti, mund të gjej një ambient që është pa duhan”.
“Unë jetoj në Itali, jam student në Torino. Prej shumë vitesh jetoj atje dhe tash ka rreth pesë vjet që në Itali nuk pihet më duhani dhe të gjithë qytetarët respektojnë këtë ligj. Është shumë e vështirë për t’u përshtatur me thënë të drejtën sepse unë kam qenë pirës duhani përpara. E kam lënë rreth tre vjet më përpara dhe është shumë e vështirë kur hyn në shumë ambiente ndjen vetëm erën e tymit të duhanit. Një ambient lokali nuk mund të shoqërohet nga fëmijë ose nga prindër thjesht për faktin sepse janë ambiente të pahyshme, me një fjalë.”
Dhe nëse vendet më të zhvilluara studiojnë efektet negative në punë apo në banesa të zhurmave dytësore, mungesës së ajrosjes së duhur, çlodhjes nga ndriçimi, gjelbërimi, e të tjerë, ne ende jetojmë në super ndotjen e duhanit dhe me ç’duket edhe për kushedi sesa kohë të humbur dhe me pasoja të pandreqshme./tvklan.al