Kisha e Shna Ndout në Laç, vendi që besohet se ka fuqi shëruese. Kështu përshkruhet ky kult fetar në një kronikë të agjencisë të lajmeve Reuters, si një kishë magjike që vizitohet çdo ditë nga qindra pelegrinë nga e gjithë Shqipëria. Ajo që besimtarët kërkojnë në këtë vend është shpëtimi fizik dhe shpirtëror.

Agron Çeiku ka ardhur nga Italia vetëm se beson që kjo kishë, ka fuqi që t’ju japë zgjidhje problemeve të tij shëndetësore.

Agron Çeiku: “Kam pasur disa problem shëndetësore të vogla, që doktorët si kanë gjetur zgjidhje edhe uroj, jo uroj por shpresoj shumë që do i kaloj meqë kam ardhur këtu. Edhe unë besoj se njerëz si myslimanë dhe katolikë për mua janë, Zoti është një”.

Historia e këtij vendi nis në shek e XII dhe është e tejmbushur me legjenda të murgjve të keqtrajtuar, të cilët kanë qenë kritikë të ashpër të armiqve kristianë, përfshirë dhe perandorinë Osmane. At Mikel Pëllumbi, i cili mban edhe meshë në kishën e Shna Ndout thotë, se çdo kush është i mirëpritur, pavarësisht se cilit besim fetar i përket.

At Mikel Pëllumbi: “Pelegrinët që vijnë në këtë kishë janë të gjithë rangjeve shoqërore, nga politikani, komunisti, ateisti, njeriu i devotshëm shumë i thjeshtë që vjen me gjithë ato devocionet e veta personale dhe jam i sigurt se janë të mirëpritur të gjithë njerëzit, që vijnë në këtë shenjtore, e pavarësisht se vijnë me një ide me një mentalitet magjik, duke kuptuar se këtu është një vend i mirë dhe mbrapa këtij vendi të mirë mshefen magji, ose gjëra të tjera që mund të na ndihmojnë ose mund të na mbrojnë”.

Në këtë kontekst agjencia Reuters thekson, se Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend me tolerancë fetare./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani