Pas 20 vitesh rikthehet “Njerëz dhe Fate 2”, por kësaj radhe si film, duke risjellë edhe një herë emocionet e atij prodhimi kinematografik që vite më parë ishte më i dashuri për publikun e që zuri vend në historinë e prodhimeve më të suksseshme kinematografike shqipatre.

Nuk mund të ndodhte ndryshe, premiera e filmit, që u shfaq mbrëmë në të gjitha kinematë, mblodhi jo vetëm kastin e aktorëve, por edhe një pjesë të publikut që e ka pritur me padurim këtë rikthim.

Arben Derhemi, producent/aktor: Flori vjen siç erdhi Flori te “Njerëz dhe Fate 1”, por me peripeci të tjera. Ka kaluar shumë vuajtje dhe vjen në një moment shumë kritik të jetës së tij.

Eni Jani, aktore: Era tashmë është bëra mami dhe është një suport i fortë dhe shumë i rëndësishëm për vëllain e saj Florin. Është i vetmi person që ka tashmë nga familja.

Gentian Zenelaj, aktor: Tashmë roli i Tonit është zhvilluar, ka marrë një pozicion goxha kyç në të gjithë historinë. Toni është gazetar investigativ që përfshihet në gjithë këto ngjarje që e shoqërojnë Florin.

Protagonisti Arben Derhemi, kësaj radhe vjen jo vetëm si aktor, por edhe si producent, ndërsa kasti ndan lajmin e mirë, që ky film i hap rrugën xhirimeve të “Njerëz dhe Fate 3” që do të pasqyrojë realitetin shqiptar.

Arben Derhemi: Si producent më duket vetja më i fuqishëm se kurrë. Sëbashku me Papadhimitrin kemi bërë një punë të jashtëzakonshme.

Dionis Papadhimitri, producent: Ky është një prezantim i projektit që vjen më pas. Kjo është hapja e serialit dhe prezantimi i linjave të reja.

Nga mbrëmë e në vazhdim, “Njerëz dhe Fate 2” do të jetë në të gjithë kinematë e vendit, për të shëtitur dhe në atë europiane, dhe së shpejti edhe në ekranin e Televizionit Klan.

Tv Klan