Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot një risi në lidhje me shfrytëzimin e Sallës së Studimit. Për këdo që orarin e sallës së studimit e ka pasur pengesë, tashmë nuk do ta ketë më. Duke filluar nga data 15 Qershor 2019, salla e studimit do të funksionojë edhe pasditeve deri në orën 19:00 dhe gjithashtu do të qëndroj e hapur edhe ditën e shtunë.
Kjo është një risi që u vjen të gjithë studiuesve dhe të gjithë të interesuarve që duan të shfrytëzojnë ambientet e sallës së studimit. Këtë njoftim e bëri të ditur në prani të studiuesve Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido ku shprehu se “ashtu si dhe në arkivat më të mëdha perëndimore, është një ndihmë që iu vjen studiuesve të cilët tashmë nuk kanë nevojë që të marrin leje nga puna e tyre, në mënyrë që të vijnë në arkiv, po kanë mundësi që të programojnë kohën, të vijnë atëherë kur ata kanë mundësinë dhe të mundet të nxisim në këtë formë studimet, sidomos në fushën albanologjike, ku Arkivi Qendor Shtetëror është burimi më i madh”.
“Pas dy viteve që ne kemi punuar për këtë risi tashmë janë pjekur kushtet dhe kemi mundësuar nëpërmjet sistemeve elektronike që të ndahet puna e vendruajtes dhe e sallës përmes procedurës dhe jo përmes pranisë fizike të individëve, sikurse kemi dhe bazën ligjore që na i mundëson këtë gjë”, tha Bido.
Ndërsa studiuesja Ana Lalaj tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm, sidomos për studiuesit e rinj, ata të cilët aspirojnë për të mbrojtur masterin apo doktoraturën, të cilët janë në marrëdhënie pune. Duke ardhur pasditeve, duke ardhur edhe të shtunave, kjo i vjen në ndihmë edhe personave që vijnë nga rrethet, jo vetëm studiuesve nga Tirana.
Të pranishëm ishin edhe Drejtori i Arkivave të Ministrisë së Mbrojtjes, Teki Kurti, Drejtori i Kërkimeve Shkencore në Akademinë e Sigurisë, Xhavit Shala, Pedagogu i Fakultetit Histori-Filologji, Artan Puto dhe studiues të tjerë të cilët mbështetën këtë nismë që ndihmon dhe lehtëson punën studimore./tvklan.al