Sot është dita e parë e “Tetorit rozë” që ka në fokus ndërgjegjësimin e  grave dhe vajzave për të kryer kontrollet e nevojshme për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. “Ia vlen të jetosh”  është slogani i zgjedhur këtë vit nga Ministria e Shëndetësisë për të bërë thirrje se jeta është e vlefshme dhe ka shumë elemente të vogla që duhet të na bëjnë të kujdesemi për veten.

Ministrja Albana Koçiu, e cila pati ndalesën e saj të parë në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, rikujtoi se ekzaminimet në spital mund të kryhen pa ndjekur procedurën e zakonshme për të marrë rekomandimin e mjekut. Këtë vit, ka një risi në fushatë pasi gratë dhe vajzat që duhet të kryejnë ekzaminimin do të njoftohen përmes portalit e-Albania si edhe në celular.

Albana Koçiu: Kemi punuar dhe aktualisht filluar aplikimin e njoftimeve periodike për çdo grua dhe vajzë e cila ka detyrimin për të kryer ekzaminimin. Nëpërmjet portalit e-Albania do të marrin një njoftim periodik për ekzaminimin e radhës që mund të jetë një mesazh në telefonin e tij apo të saj dhe një mesazh në llogarinë që ka në portalin e-Albania. Është një mesazh që thotë po të vjen afati për të kryer mamografinë e radhës, po të vjen afati për të kryer ekzaminimin e radhës dhe sigurisht me një fokus të shtuar në shëndetin e grave dhe vajzave.

Aldo: Pra do, s’do ti, ti po i lë takim.

Albana Koçiu: Ti po i lë takim, është si një ‘reminder’ (kujtesë) në kalendar ku çdonjëri nga ne vë një ‘reminder’ për një takim të radhës, do t’i vijë një mesazh kujtese për takimin e radhës për diagnostikën e nevojshme.

Sa u përket zonave rurale, njësoj si në qytetet e mëdha do të funksionojnë mamografitë lëvizëse. Këto të fundit janë të disponueshme përgjatë gjithë vitit dhe gratë e vajzat mund të kryejnë ekzaminimet në një kohë fare të shkurtër. 

Përveç ‘takimit’ që gratë e vajzat do të lënë përmes e-Albania, do të marrin gjithashtu edhe përgjigjen e ekzaminimit në llogarinë që kanë në portal.

Albana Koçiu: Përveç njoftimeve periodike që do t’u vijnë grave dhe vajzave nëpërmjet portalit e-Albania gjithashtu do t’u vijnë po në llogarinë e portalit e-Abania edhe leximi i mamografisë, i diagnostikës apo analizave që ka kryer. Çfarë na ndodh shpesh? Vërtet shtyhemi dhe shkojmë drejt një diagnostikimi, shkojmë bëjmë një ekzaminim pastaj nuk shkojmë të marrim përgjigjet. Kjo ndodh shpesh, më ka ndodhur edhe mua personalisht. E kam kryer ekzaminimin, kam harruar të shkoj e të marr përgjigjen me idenë që hë se mirë është, do të më thotë ndonjë po të isha keq.

Aldo: Është ajo tjetra, çfarë do të më gjejë mua?

Albana Koçiu: Edhe ajo, por hë se do më thonë. Çfarë kemi realizuar është që përgjigjja do të shkojë në llogarinë në e-Albania, do të kenë mundësinë ta kenë aty dhe do të lexojnë lehtësisht vlerësimin e  analizave apo të ekzaminimeve që kanë kryer./tvklan.al