“Erdhe si shpëtimtar e po ikën si varrmihës i ëndrrës, shpresës dhe besimit të shqiptarëve”,
ka qenë kjo kundërpërgjigja e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani, ndaj Kryeministrit Edi Rama.
Duke reaguar pas komunikimit të përjavshëm në rrjetet sociale, ku kreu i qeverisë u shpreh se në mandatin e parë të kësaj qeverie kanë përfituar, jo vetëm nga shtesat e pagave, por edhe nga ulja e taksave, ashtu si 95 përqind e shqiptarëve, ndërsa foli me optimizëm edhe për rritjen ekonomike, në një postim në rrjetet sociale, Ristani nuk i kurseu akuzat ndaj tij.
Sipas Ristanit, pavarësisht propagandës, e vërteta nuk mund të manipulohet, ndërsa e akuzon Kryeministrin se e
ka zhytur Shqipërinë në mjerim, krim, drogë dhe korrupsion.
Reagimi i plotë:
“Pas monologut të përjavshëm të Ramës dua t’i them se:
Erdhe si shpëtimtar e po ikën si varrmihës i ëndrrës, shpresës dhe besimit të shqiptarëve.
Të kuptoj që s’e i kënaqur nga vetja, por kush ta fal që e ke zhytur Shqipërinë në mjerim, krim, drogë dhe korrupsion.
Të kuptoj qe sje i kënaqur nga vetja se ndoshta do kishe dashur të hapje më shumë ekspozita, të promovoje më shumë libra, të shihje më shumë ndeshje të NBA, apo inspektojë stadiumet më të famshme të Europës.
Ndoshta do kishe dashur më shumë përfitime nga tenderat dhe koncesionet. Në fund të fundit ky ishte dhe qëllimi i qeverisjes tënde.
Rendjen pas qejfeve të tua e paguan shtrenjtë qytetarët. Taksat u rritën, çmimi i energjisë dhe naftës po ashtu, varfëria dhe papunësia pllakosën kudo.
Sot duhet të rëndonin në ndërgjegjen tënde vetëvrasjet për faturën e energjisë, familjet e pashpresa që enden nëpër kampet e refugjatëve në Gjermani, Holandë etj, mijëra bizneset e mbyllura nga arroganca dhe arbitrariteti i “shtetit” tënd.
Duhet të rëndonin në ndërgjegjen tënde ata fëmijët e mitur dhe prindërit e tyre që trajtohen si skllevër në arat e kanabisit, vdekjet nga shëndetësia e munguar e sorollatjet e të sëmureve pa gjetur zgjidhje.
Sado të përpiqesh me propagandë e gjithfarë marifeti, nuk do arrish të manipulosh të vërtetën.
Sje asgjë tjetër veçse si ai vrasësi gjakftohtë dhe me paramendim, që bën si i penduar, por që në fakt, njësoj do të vepronte sa herë t’i jepej mundësia.
Erdhe si shpëtimtar e po ikën si varrmihës i ëndrrës, shpresës dhe besimit të shqiptarëve.”/
tvklan.al