Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme nuk do të realizohet këtë vit. Sipas Ministrisë së Financave procesi i rivlerësimit do të nisë vitin tjetër. Kjo për t’i dhënë mundësi autoriteteve për të caktuar hartën e plotë të çmimeve të referencës në gjithë territorin e Shqipërisë.

Procesi për caktimin e çmimeve të referencës do të kryhet gjatë gjithë vitit të ardhshëm. Sipas Shoqatës Kombëtare të Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, nga 2015 deri më tani, janë rivlerësuar vetëm 5% e 4.5 mln pasurive të paluajtshme që janë në Shqipëri.

Kjo situatë, sipas tyre, po sjell edhe fryrje artificiale të çmimeve të apartamenteve si dhe rritje të informalitetit. Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme ka ngritur gjithashtu shqetësimin se mosmiratimi i nismës për rivlerësimin e pronave me 5% të vlerës ka sjellë ngrirje të transaksioneve në vend.

Në Janar të 2026-ës pritet të hyjë në fuqi kadastra fiskale, e cila sipas ekspertëve, do të bëjë të mundur që tatimi për pasuritë e paluajtshme të zbatohet mbi vlerën reale të tregut.

Tv Klan