Në Maqedoninë e Veriut më 22 maj po rivotohet në 7 qendra në njësinë e 5 dhe të 6 zgjedhore. Ato mund të ndryshojnë numrin e mandateve të fituara nga partitë politike në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve rivotimi po zhvillohet pa probleme. Raportohet për dalje të lartë në votime, në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Në këto vendvotime të drejtë vote kanë 4.513 qytetarë, të cilët që nga ora 7 e mëngjesit u janë drejtuar kutive të votimit.
Rivotimi mbahet pas konstatimit të parregullsive nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, e që ishin pranuar edhe nga Gjykata Administrative. Parregullsitë kishin të bëjnë kryesisht me gjetjen e më tepër fletëve të votimit nëpër kutitë e votimit.
Në njësinë e 5 zgjedhore, që përfshin pjesën jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut, votohet në 6 vendvotime në Ohër, Strugë, Krushevë dhe Dollneni.
Në njësinë e 6 zgjedhore, që përfshin rajonin e Tetovës, në pjesën perëndimore të vendit, të banuar me shqiptarë, rivotohet në një vendvotim në fshatin Llërc.
Rivotimi mund të ndryshojë raportet mes forcave në Kuvend
Në zgjedhjet e mbajtura më 8 maj, VMRO-DPMNE ka fituar 58 mandate. Fronti Evropian, që drejtohet nga BDI-ja 19. Koalicioni VLEN 18 mandate. Nga 6 mandate partia E Majta dhe Lëvizja ZNAM.
VMRO-DPMNE, që fitoi zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale, pret që nga rivotimi të marrë edhe një mandat më shumë. Të njëjtën gjë pret edhe koalicioni VLEN.
Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 njësi zgjedhore dhe në secilën prej tyre zgjidhen 20 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi.
Pas rivotimit më 22 maj, KSHZ-ja pritet t’i certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Më pas nisin afatet për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re partisë fituese, në këtë rast VMRO DPMNE-së.
Formimi i qeverisë së re
Nga kjo parti presin që qeveria e re të formohet më së voni deri në javën e parë të muajit qershor.
Qeveria e re, sipas paralajmërimit të kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski do të formohet nga partia e tij dhe koalicioni VLEN i partive opozitare shqiptare. Por nuk përjashtohet mundësia që pjesë e ekzekutivit të ri të jetë edhe lëvizja ZNAM./REL