Roan Brahimi, i njohur edhe me emrin Sidorel Prendi nga Pllana e Lezhës, i cili u ekzekutua me armë zjarri në Athinë, dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen Gentjan Bejtjes, në 15 mars në Larushk të Fushë Krujës.
Një nga personat e arrestuar nga policia si transportues i vrasësve, Ilir Beqaraj, rezulton të ketë lidhje familjarë me të, konkretisht, është kunat me Roan Brahimin. Sipas burimeve të policisë së Tiranës, dyshohet se në bashkëpunim me grupin e Niklës, ai ka bashkëpunuar për të kryer atentatin ndaj Gentjan Bejtjas.
Gjithashtu Brahimi njihet si rivali i Ervis Martinajt dhe akuzohet si i përfshirë në atentatin ndaj Ylli Brahimit, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi. Gjithashtu ai dyshohet edhe për ekzekutimin e Brilant Martinajt dhe miqve të tij në mbikalimin e Fushë-Krujës, krim i ndodhur më 17 korrik 2022.
32-vjeçari jetonte në Dubai dhe kishte shkuar ditët e fundit për të festuar Pashkët në Athinë. Atentati ndodhi teksa ai dhe bashkëshortja po prisnin në makinë djalin, i cili po luante në një kënd lojërash. Brahimi u qëllua me breshëri plumbash nga dy persona që lëviznin me motor.
Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe bashkëshortja, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Klan News