Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të 7 të pandehurve të dosjes “Metamorfoza”.

Mes të pandehurve të çështjes janë biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-shefi i Operacionales, Oltion Bistri dhe ish-drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita.

Gjatë shqyrtimit paraprak këta tre të pandehur kanë kërkuar edhe gjykim të shkurtuar, vendim për të cilin gjykata do të shprehet në seancën e parë të gjykimit në themel.

Biznesmeni Pëllumb Gjoka akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020 si dhe për bashkëpunim në dy vrasje të tjera. Ndërsa ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-shefi i Forcave Operacionale të Policisë, Oltion Bistri akuzohen për korrupsion dhe nxjerrje te sekretit.

Po ashtu të akuzuar për këtë çështje janë Astmer Bilali, Behar Bajri, Edmond Preka dhe ish-oficeri i policisë, Ardit Hasanbegaj.

Grupi u zbulua pas zbërthimit të mesazheve që atë kishin shkëmbyer në aplikacionet Encro Chat dhe SKY ECC. Grupit i janë sekuestruar edhe një sërë pasurish të paluajtshme ndërsa disa bashkëpunëtorë të tyre janë ende në kërkim, mes të cilëve edhe Ervis Martinaj./tvklan.al