SPAK i kërkon Gjykatës së Posaçme konfiskimin e pasurive të Ervis Martinajt.

Në njoftimin për shtyp Prokuroria e Posaçme thekson se janë identifikuar dhe sekuestruar në Janar të vitit 2023 pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të personit nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me të. Në total janë 31 pasuri të sekuestruara për të cilat kërkohet konfiskim.

Prokuroria e Posaçme thotë në njoftimin zyrtar se ka rezultuar se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale të personave të hetuar dhe të personave të lidhur me ta.

Në sekuestro është vendosur një kazino që ishte 100 përqind në pronësi të tij, si dhe disa shoqëri aksionere. Nga lista e sekuestrimeve rezultojnë edhe disa  shoqëri aksionere që Martinaj i ka në emrin e tij dhe të familjarëve.

Gjithashtu sipas vendimit të Gjykatës janë sekuestruar disa automjete luksoze, toka, troje ullishte si dhe apartamente dhe llogari bankare në Kurbin, Tiranë, Fushë-Kuqe dhe në Dhërmi.

SPAK ka kaluar në sitë llogaritë bankare të Martinajt dhe të afërmve të tij që prej vitit 2000. Në sitë gjithashtu kaluan edhe pronat e luajtshme dhe të paluajtshme të tyre, ku SPAK arriti të identifikojë një banesë në Surrel e blerë në letra nga një person tjetër, por që pas dëshmisë së tij, rezultoi se ishte blerë realisht nga Ervis Martinaj.

Ky i fundit u shpall në kërkim në Maj të 2022 pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili deklaroi se Martinaj i kishte paguar 500 mijë Euro për eliminimin e Indrit Dokles. Në Gusht të 2022, Martinaj u denoncua i zhdukur nga familjarët.

Klan News