Firmat ndërkombëtare të teknologjisë së lartë janë në garë për të nxjerrë të parët në treg robotët humanoidë, që do t’u vijnë në ndihmë njerëzve.
Për kafen ekspres, sistemimin, pastrimin dhe punë të tjera në shtëpi që përtojmë t’i bëjmë ose jemi të lodhur, shumë shpejt mund të na ndihmojnë të ashtuquajturit robotë humanoidë, ata që funksionojnë në mënyrë autonome me Inteligjencë Artificiale.
Një nga ata që shpresojnë të dominojnë në treg është 1X, një kompani me bazë në Norvegji dhe në Silicon Valley, me robotin e tyre humanoid, NEO. I veshur me një “jumpsuit”, NEO u ekspozua nga dega e kompanisë në Oslo për një reportazh të agjencisë së lajmeve Reuters.
“Ky është versioni më i thjeshtë i robotit tone NEO. Në afat të gjatë ky do të bëjë të gjitha punët e shtëpisë që nga larja e rrobave, pastrimi, rregullimi dhe në përgjithësi do të jetë një lehtësim i madh për të gjithë amvisat në jetën tonë të përditshme. Përveç kësaj, do të jetë një shoqërues i shkëlqyeshëm, mund të flisni me të, të keni biseda të mira, mund t’ju mësojë shumë gjëra, dhe do të jetë shumë argëtues”, tha Bernt Bornich, CEO dhe themeluesi i 1X.
Bornich shpjegon se si është krijuar roboti përmes Inteligjencës Artificiale.
“Gjithçka që shihni tek NEO është Inteligjenca Artificiale. Nga mënyra se si ai di të kontrollojë trupin e tij, të ecë, si të përdorë objektet, si të bëjë detyra, si të bashkëveprojë me njerëzit, gjuha e trupit. E gjitha kjo është në sajë të Inteligjencës Artificiale moderne e aplikuar në robotikë. Ajo çfarë vlen të përmendet është se NEO dhe sistemet e krijuara edhe do të mësojnë mes njerëzve”, tha Bornich.
NEO është projektuar gjithashtu për t’u komanduar nga një njeri që të kryejë veprime të ndryshme. Krijuesi i robotit Bornich tha se kjo do t’i lejojë përdoruesit të hyjnë në sistemin e tij pavarësisht se ku ndodhen, edhe në distanca të largëta.
“Unë në fakt kisha një nga humanoidet e versionit të mëparshëm që ne kemi bërë, robotin EVE, për në shtëpi. Për të provuar se si është të jetosh me një robot si pjesë e familjes dhe për të ndihmuar në kryerjen e të gjitha punëve të përditshme nëpër banesa. Gjithçka, nga bisedat deri te lavanderia rregullimi etj. Në atë moment thashë: kjo është vërtet e dobishme, nuk dua ta kthej. Të gjitha këto mësime të nxjerra shkuan për të krijuar NEO, por kësaj here duke integruar edhe Inteligjencën Artificiale. Jemi gati ta provojmë këtë. Jam shumë i emocionuar për të parë rezultatet”, tha ai.
Bashkimi i inteligjences artificiale dhe inxhinierisë po avancojnë ndjeshëm fushën e robotikës humanoid. Inxhinierët projektojnë robotë për të imituar formën dhe lëvizjen e njeriut.
Ndërsa Inteligjenca Artificiale ofron ‘fuqinë e trurit’, duke u mundësuar këtyre makinerive të mësojnë nga mjedisi i tyre, të marrin vendime dhe të kryejnë detyra komplekse.
Versioni i NEO u komandua nga njerëzit nga distanca. Kompania tha se kjo është mënyra se si 1X trajnon modelet e tyre të Inteligjencës Artificiale, duke mësuar nga robotët që punojnë në mjedise të botës reale.
Versioni do të jetë i gatshëm për tregun në vitin 2025. 1X nuk ka dhënë detaje rreth vlerës, por parashikohet të jetë sa një makinë e re me çmim mesatar. Sidoqoftë, NEO me gjasë do të ketë shumë konkurrencë.
Miliarderi Elon Musk tha në Tetor të këtij viti se do të ketë të paktën 10 miliardë robotë humanoidë me një çmim midis 20,000 dhe 25,000 dollarë deri në vitin 2040. Duke folur në prezantimin e Tesla Robotaxi, Musk tha se ai beson se ‘Optimus’ roboti humanoid do të jetë produkti më i madh ndonjëherë.
Shumë startupe janë bërë pjesë e garës së atyre që përdorin Inteligjencën Artificiale, duke përfshirë Vicarious, i cili u ble nga Intrinsic në pronësi të Alphabet në 2022, Universal Robots, Seegrid dhe Covariant.
Edhe Era me bazë në Pekin publikoi së fundmi videon e robotit të tij humanoid STAR 1.
Në konferencën e fundit ndërkombëtare mbi Robotikën Humanoide në Nancy, të Francës, mbi 30 kompani si dhe institute kërkimore shfaqën robotët e tyre më të fundit.
Klan News