“Do të cënonte stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan”
Gjermania po bën të gjitha përpjekjet për hapjen sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, siç konfirmoi Ministri gjerman për Europën, Michael Roth. Përpara nisjes së diskutimeve online në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian, Roth e quajti “gabim të rëndë politik” mundësinë e mos hapjes së negociatave për dy vendet.
“Si drejtues të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, po bëjmë të gjitha që janë në mundësinë tonë që mundësisht sa më shpejt, të arrijmë unitet për organizimin e konferencave ndërqeveritare për anëtarësimin e Maqedonisë e Veriut, e pas plotësimit të pak kushteve të mbetura edhe me Shqipërinë. Gjithçka tjetër veç kësaj do të ishte një gabim tepër i rëndë politik, që do të cënonte stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, e kjo do të cënonte në mënyrë masive edhe sigurinë në Evropë”.
Sipas ministrit gjerman, vendi i të cilit këtë muaj përmbyll presidencën 6 mujore të Këshillit të Bashkimit Europian, nuk po arrihet të përparohet në çështje për të cilat vendet anëtare kishin rënë më parë dakord.
Vendimi për të miratuar kornizën negociuese të BE-së për Maqedoninë e Veriut është bllokuar nga Bullgaria, që kërkon që disa çështje bilaterale me Maqedoninë e Veriut, që lidhen me identitetin dhe gjuhën, të jenë pjesë e kësaj kornize. Disa diplomatë europianë janë kundër çfarëdo shqyrtimi të vendimit vetëm për Shqipërinë, nëse nuk kalon vendimi për Maqedoninë e Veriut.
Dy vendet kanë statusin e kandidatit dhe tashmë ato janë në prag të hapjes së negociatave të anëtarësimit, por fillimisht BE duhet të miratojë kornizën negociuese me dakordësinë e të gjitha shteteve anëtare.
Tv Klan