Pas çdo kënaqësie që mund të sjellë një punë e lodhshme dhe e suksesshme si projekti “Sirena” i Roza Latit, qëndron edhe sakrifica e përpjekjet që të dalë në më të mirën e mundshme. Për emisionin “Rudina” në Tv Klan, përveç dashurisë së madhe dhe mbështetjes që ka marrë “Sirena”, Roza tregon edhe vështirësitë që i kushtoi ky xhirim.
Roza Lati: Kur jam futur në rrjetën e peshkut aty vërtet e kam parë se çfarë ankthi mund të jetë të zihesh në të. Në fakt, gjunjët më janë nxirë kur kam qenë aty sepse ajo rrjeta është si thes që lidhet aty dhe te gjunjët më shtrëngoi peshkatari që unë mos të bija, të rrëshkisja dhe e ka shtrënguar shumë fort rrjetën. Mua të nesërmen gjunjët në mes të njëri-tjetrit m’u nxinë shumë. Të nesërmen kam patur dhimbje fizike pa fund, muskujt e barkut më dhembnin shumë, shpina dhe nuk e mbaja mend pse, thosha “Pse po më dhemb trupi kaq shumë?”, por realisht kur kam parë videot kam qenë duke shtyrë tërë kohën me këmbë dhe në atë mënyrë, përdor shumë forcën. Domethënë edhe trupi më ka dhembur të nesërmen.
Rudina Magjistari: Ka kërkuar sakrificë, një xhirim aspak i zakonshëm.
Roza Lati: Po, i kam patur idetë e qarta se çfarë kam dashur.
Në fotot ekskluzive të sjella për emisionin, në barkun e Rozës qëndron një peshk i frikshëm, i cili siç rrëfen ajo, e ka trembur shumë, por ishte një shaka e peshkatarëve të anijes. Një detaj tjetër gjatë videos së saj ishte fotoja e një forografi amerikan, një fëmijë që qëndron në mes të mbeturinave, me një shiringë në dorë, pikërisht për të përforcuar situatën. E për ta përmbledhur se çfarë ajo ka dashur të përcjellë me këtë vepër, por të shprehur në fjalë, Roza Lati e formuloi kështu mesazhin e saj:
“Unë vetë nuk kam bërë fëmijë dhe kam frikë me çfarë po ndodh në këtë botë. Nesër, pasnesër, fëmijët tanë, krijesat e vogla që do të rriten, çfarë të ardhme do të kenë, ku do të jetojnë. Krijesa të vogla nuk them vetëm fëmijët e njeriut, por them fëmijët e çfarëdolloj krijese se Toka nuk është vetëm e jona dhe nuk duhet të jemi egoistë se çdokush, çdo krijesë ka të drejtë të marrë frymë në këtë tokë, të jetojë”./tvklan.al