Disa ditë më parë, Arta Bajrami rrëfeu në emisionin “Oxygen” në Kosovë se dy fëmijët e saj të vegjël, Ideali dhe Electra janë të diagnostikuar me spektrin e autizmit.
Si një figurë publike që ndodhet në të njëjtën situatë si shumë prindër të tjerë, Arta e ka ndier vështirësinë e fëmijëve por është përpjekur të bëjë më të mirën për ta. Në programin “Rudina” në Tv Klan ajo tregon se dy vogëlushët nuk janë në shkallët e rënduara të spektrit por me shumë punë e terapi, po arrijnë të përparojnë. Të njëjtën gjë ajo e këshillon edhe për prindërit.
Arta Bajrami: Është spektër shumë i gjerë, preken disa fëmijë më pak, janë me shkallë. Fatmirësisht, e kam thënë edhe në emision që fëmijët e mi nuk janë të prekur rëndë, domethënë kuptojnë, dëgjojnë, vishen, mbathen, janë të pavarur vetëm nuk janë ende verbalë, kanë pak vështirësi në komunikim. Unë jam duke punuar me ta në trajnime të ndryshme qëkur kanë qenë të vegjël sepse vajzën e madhe, Viktorian, duke u bazuar te ajo, unë e kam ndjekur dhe kam parë që këta diçka, djali sidomos, ka pasur pak ngecje dhe jam marrë me ta intensivisht, nëpër trajnime të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, ku kam mundur bashkë me bashkëshortin. Shyqyr Zotit mirë janë, po përparojnë. Unë veç mundem t’ju them që u duhet të gjithëve, çdo prind që i ka fëmijët e diagnostikuar, pavarësisht çfarë shkalle duhet të punohet shumë me ta sepse vetëm ajo është për momentin pasi autizmi nuk është sëmundje, është çregullim neurobiologjik, nuk e dimë nga shkaktohet.
Deklarata e Arta Bajramit në “Oxygen”:
“Dua të tregoj një të vërtetë, është mirë ta dijë edhe publiku. Dua të tregoj një të vërtetë, sepse po e kam një fare ngushtimi kështu që po ballafaqohem në përditshmëri. Ideali dhe Elektra janë diagnostikuar me spektrin e autizmit. Janë diagnostikuar pak më vonë, pasi fillimisht doktorët nuk kanë dhënë diagnozë të saktë. Unë nuk jam dorëzuar kurrë, ju kemi qënduar mbrapa bashkë me bashkëshortin. Vonë janë diagnostikuar. Për momentin jam duke i trajtuar në Shoqatën e Autizmit në Prishtinë, të cilët po e bëjnë një punë shumë të mirë. Tani Zoti m’i ka çuar këta dy yje, këta engjëj që japin dashuri pa kushte. Kuptojnë krejt, vetëm të flasin nuk munden ende. Janë të pavarur në gjërat që bëjnë”./tvklan.al