Shefi i ushtrisë së Kenias, general Francis Omondi Ogolla, ka ndërruar jetë pasi një helikopter ushtarak u rrëzua në perëndim të vendit. Gjeneral Ogolla ndodhej në helikopter së bashku me njëmbëdhjetë oficerë ushtarakë të tjerë.
Si pasojë e rrëzimit të mjetit fluturues, vetëm 2 persona kanë mbijetuar të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ata ishin në një mision për të rihapur disa nga shkollat e mbyllura pas sulmeve të banditëve. Më herët, kishin vizituar gjithashtu oficerët ushtarakë të vendosur për të stabilizuar rajonin.
Në një konferencë shtypi, Presidenti i Kenias, William Ruto tha se ky ishte një moment i madh trishtimi për të gjithë vendin. Ai thirri menjëherë një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë. Ruto tha se përplasja ndodhi në orën 15:20 me kohën lokale.
Forcat Ajrore të Kenias kanë dërguar një ekip hetimor ajror për të përcaktuar shkakun e rrëzimit. Helikopteri u rrëzua në qarkun Elgeyo Marakëet, rreth 400 km në veri-perëndim të kryeqytetit Nairobi.
“Fatkeqësisht, helikopteri u rrëzua menjëherë pas ngritjes”, tha Ruto.
Ekipet e shpëtimit janë dërguar në vendin e rrëzimit. Gjenerali Ogolla u emërua nga Ruto në Prill të vitit të kaluar, pasi shërbeu si Komandant i Forcave Ajrore dhe Zëvendës Shef i Forcave të Mbrojtjes. Ruto e përshkroi gjeneralin Ogolla, si një oficer trim që vdiq në krye të detyrës.
Kombi do të mbajë një periudhë zie 3-ditore, duke filluar të premten më 19 Prill. Flamujt në Republikën e Kenisë dhe në misionet keniane jashtë vendit do të valëviten në gjysmështizë./tvklan.al