Siç bën me dije ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter janë mobilizuar për të shuar zjarrin e rënë këtë të Enjte në Dhërmi. Teksa ka postuar pamjet, ai u bën thirrje të gjitha strukturave vendore që të ndërhyjnë menjëherë kur ka vatra zjarri.


“Helikopteri Cougar dhe efektivë të FA kanë shkuar në ndihmë të forcave që po përpiqen të shuajnë zjarrin e rënë këtë pasdite në Dhërmi. Për shkak të terrenit të vështirë, situata ka qenë disi problematike për ndërhyrjen me mjete, por trupat janë duke punuar për të vënë në kontroll të plotë flakët. U bëjmë thirrje të gjitha strukturave vendore të ndërhyjnë menjëherë kur vënë re vatra zjarri për të mos lejuar që ato të përhapen në terren më të gjerë. FA, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes janë në gatishmëri të plotë në çdo rast, kur kërkohet ndihma e tyre”, shkruan ministri në Facebook.

Për zjarrin ka reaguar edhe Policia, duke sqaruar se shkak është bërë një shkëndije elektrike si pasojë e linjës së tensionit të lartë në lagjen “Kondraq”.

“Shërbimet zjarrfikëse, me ndihmën e helikopterit të FA, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit në bashkëpunim me punonjës të OSHEE-së dhe efektivë të Policisë Himarë“, njoftojnë blutë.

/tvklan.al