Me 331 vota pro, Asambleja Kombëtare, Dhoma e Ulët e Parlamentit Francez votoi në favor të një mocioni mosbesimi duke rrëzuar qeverinë e Kryeministrit, Michel Barrnier.
Mocioni u iniciua nga koalicioni i partive të majta dhe Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë që bashkuan votat duke bërë që për herë të parë nga viti 1962 që një qeveri franceze të rrëzohej me një mocion mosbesimi.
Shkak për rrëzimin e qeverisë u bë një vendim i Kryeministrit Barnier që përdori një kompetencë kushtetuese për të miratuar buxhetin për sigurimet shoqërore të vitit të ardhshëm duke anashkaluar votimin në Parlament. Vetë Barnier tha para votimit se problemet e Francës me borxhin publik nuk do të zhduken edhe nëse ai shkarkohet.
Më pas, në një dalje televizive, liderja e ekstremit të djathtë Marin Le Pen tha se tani edhe Presidenti Emanuel Macron duhet të bëjë gati dorëheqjen. Shefi i Elizesë ka hedhur poshtë në të kaluarën mundësinë e dorëheqjes, por tashmë është në pozitë të vështire.
Agjencia e Lajmeve “Reuters” që citon burime të saj, shkruan se Makron synon të emërojë shumë shpejt një Kryeministër të ri përpara ceremonisë së rihapjes së Katedrales Notre-Dame të Parisit të shtunën. Koalicioni i partive të majta kërkon që Kryeministri të dalë nga radhët e tij.
Gjithsesi, nuk mund të ketë zgjedhje të reja parlamentare përpara Korrikut të vitit të ardhshëm. Një tjetër mundësi është që Macron t’i kërkojë Barnier dhe ministrave të tij që të qëndrojnë në detyrë, ndërkohë që ai merr kohë për të gjetur një Kryeministër me mbështetje të mjaftueshme ndërpartiake.
Tv Klan