Cikloni “Chido” me erëra deri në 225 kilometra në orë, që rrafshoi ishullin francez Mayotte pritet të jetë ndër stuhitë me vdekjeprurëse. Ekipet e shpëtimit po punojnë në ishujt që shtrihen midis brigjeve të Mozambikut dhe Madagaskarit, por përpjekjet e tyre janë të vështira. Qeveria e Francës ka dërguar një aeroplan transporti ushtarak me furnizime dhe punonjës urgjence për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve lokale.
Stuhia shkatërroi me qindra shtëpi e kasolle si dhe rrafshoi pemët e të mbjellat. Numri i saktë i viktimave të ciklonit është i vështirë të përcaktohet. Prefekti i arkipelagut, François-Xavier Bieuville tha se shifrat mund të rriten gjatë ditëve në vijim dhe dyshimet janë se mund të shkojë në mijëra viktima.
Cikloni “Chido” ka ndërprerë energjinë në disa zona të provincave bregdetare veriore të Mozambikut, Nampula dhe Cabo Delgado. Shumë shtëpi, shkolla dhe objekte shëndetësore janë shkatërruar plotësisht. Sipas ekspertëve, cikloni “Chido” është i fundit në një varg stuhish në mbarë botën të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ishulli u përball me orë të tmerrshme, teksa shprehu edhe ngushëllimet për familjet e viktimave. Sipas Meteo-France kjo ishte stuhia më e fortë që ka goditur ishujt e arkipelagut në më shumë se 90 vjet.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) ka bërë të ditur se ishte e ngjashme në fuqi me ciklonet “Gombe” në 2022 dhe “Freddy” në 2023.
Klan News