Shtyrja me 2 vjet e afatit të ligjit për investimet strategjike, parashikon të rrisë me 2.7 miliardë Euro investimet në vend dhe pritet të rrisë me mbi 24 mijë vendet e reja të punës.
Kështu deklaroi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
“Vlera e parashikuar nga këto investime do të shkojë në 2,7 miliardë euro dhe të hapë 24,323 vende të reja pune dhe 2 miliardë euro fluks i pritshëm investimesh të huaja direkte. Ndër sektorët prioritarë janë turizmi, energjia dhe infrastruktura me fokus projekte inovative dhe të qëndrueshme. 75% e vlerës së investimeve strategjike vijnë nga investitorë të huaj”, tha Blendi Gonxhja.
Ministri Gonxhja nënvizon se ligji i ri krijon një klimë më të favorshme për investitorët, por edhe forcon perspektivat e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Ky vendim i miratuar nga Kuvendi u jep kohë dhe mundësi të reja investitorëve për të aplikuar sipas ligjit “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” dhe për të ndërmarrë investime të rëndësishme në sektorë potencialë të ekonomisë së vendit. Gjithashtu sjell monitorim më të rreptë të projekteve dhe më shumë siguri dhe zbatim”, tha Gonxhja.
Afati për përfitimin e statusit “Investim apo investitor strategjik, procedurë e asistuar e veçantë” është shtyrë deri më 31 Dhjetor të vitit 2026.
Klan News