Qeveria shqiptare miraton projektvendimin për rritjen e pagës së personelit të Forcave të Armatosura. Sipas ministrit të mbrojtjes Pirro Vengu nga ky projektvendim preken rreth 6 mijë efektivë, 2500 prej të cilëve e përfitojnë për herë të parë një shtesë page.
Rritja më e madhe e pagës është për personelin fluturues dhe mbështetës, të cilët sipas këtij vendimi do të përfitojnë deri në 100,000 lekë mbi pagën në muaj dhe nga ky vendim përfitojnë rreth 200 ushtarakë.
Ndërkohë që për rreth 150 ushtarakë të Agjencisë së Inteligjencës trajtimi financiar mbi pagën shkon deri në 20,000 lekë në muaj, ndërsa për ushtarakët aktivë të strukturave të tjera, shtesa mbi pagën shkon deri në 70,000 lekë në muaj, duke përfshirë edhe ata ushtarakë që nuk e kanë përfituar më parë këtë shtesë.
Sipas ministrit të mbrojtjes rritja e trajtimit financiar nuk është një shpenzim, por një investim për burimet njerëzore.
Pirro Vengi, ministër i Mbrojtjes: Ky vendim konfirmon se kapitali njerëzor mbetet prioritet kryesor për ushtarakë të mirëpaguar, të mirëpajisur dhe të mirëtrajnuar, ndërsa rrit ndjeshëm jo vetëm cilësinë e kapitalit por edhe të shërbimeve të mbrojtjes civile. Objektivi i Ministrisë së Mbrojtjes është që rekrutët e rinj e veçanërisht profesionistët e fushave të ndryshme të jenë konkurrues në tregun e sotëm.
Përfitues të shtesës së pagës janë Forcat Speciale, pilotët, inxhinierët dhe teknikët e mirëmbajtjes, Njësia Cyber, dronët por edhe Forcat e Dedikuara për emergjencat civile.
Klan News