Tornadot shkatërrimtarë vijojnë të marrin jetë njerëzish në disa shtete të SHBA-së.
Bilanci i të vdekurve ka arritur në 23, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur. Të paktën tetë viktima u regjistruan në Arkansas, shtatë në Teksas, katër në Kentaki dhe dy në Oklahoma, sipas të dhënave nga autoritetet.
Një stuhi e fortë goditi disa pjesë të New Jersy , New York dhe Pensilvanisë, ndërsa më shumë se 30 milionë njerëz në verilindje, janë nën urdhra evakuimi në disa pjesë të Bregut Lindor. Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Stuhia e fortë shkaktoi dëme edhe në Atlanta, Georgia dhe disa qarqe perëndimore të Karolinës së Jugut
Më shumë se 100 autostrada dhe rrugë u dëmtuan, ndërsa më shumë se 300 mijë familje në disa shtete kanë mbetur pa energji elektrike.
Pamjet tregojnë shtëpi të shkatërruara , pemë dhe shtylla të tensionit të lartë të rrezuara si dhe mbeturina të shpërndara. Në Teksas, Guvernatori Greg Abbott ka bërë të ditur se më shumë se një e treta e qarqeve janë në një gjendje të jashtëzakonshme pasi moti ekstrem goditi shtetin.
Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave është vendosur në terren për të kryer vlerësime të dëmeve me homologët shtetërorë dhe lokalë, ndërsa administrata amerikane ka urdhëruar akordimin e fondeve për dëmet e shkaktuara nga stuhitë e forta.
Shërbimi i motit ka bërë të ditur se stuhitë e forta pritet të lëvizin edhe në Ohajo, Tenesi dhe Alabama shoqëruar me përmbytje, breshër të fuqishëm dhe tornado me erëra deri në 100 km/h.
Ndërkaq një ciklon ka shkaktuar përmbytjen e disa fshatrave bregdetare, në Bangladeshin jugor dhe Indinë lindore, ku kanë humbur jetën 10 persona dhe qindra mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike. Stuhia detyroi evakuimin e afro 800,000 njerëzve. Reshjet e dendura përmbytën gjithashtu rrugë dhe shtëpi.
Klan News