Shqiptarët kanë habitur specialistët me vrullin e pajisjes me pasaporta biometrike, duke kaluar shifrën e 500 mijë aplikimeve.
Procesi si një ndër kushtet themelore për heqjen e vizave me BE ka tejkaluar parashikimin për dikasterin e Ministrisë së Brendshme.
Zv/ Ministri Ferdinad Poni në një intervistë për Tv Klan deklaron se bashkë me prodhimin e firmës Sagem po diskutohet që të rritet numri i prodhimit të pasaportave në krahasim me kartat e identitetit, pasi ka një diferencë të madhe mes aplikimit për pasaporta dhe prodhimit të tyre.
Ferdinad Poni: “Diferenca është diku te 40 mijë, që do të thotë se ne po ristabilizojmë të gjithë parametrat e prodhimit, pavarësisht një fluksi katër herë, pesë herë më të madh sa ka qenë zakonisht gjatë muajit dhjetor dhe janar, që shkojnë në parametrat me shpejtësi në parametrat normal. I kemi propozuar kompanisë që të bëjmë një ndryshim që të prodhojmë më shumë pasaporta krahasuar me raportin me kartat që po vijnë duke mbaruar”.
Pavarësisht ujdive dhe kërkesave të shumta të qytetarëve për t’u pajisur me dokumentet e reja, ka një numër të konsiderueshëm të tyre që ende qëndrojnë në zyrat e aleat, ende të pa tërhequra. 70 mijë pasaporta dhe rreth 200 mijë karta identiteti, që për zv/ministrin vështirësojnë procesin e shpërndarjes.
Ferdinad Poni: “Kjo nuk ndihmon as vet procesin, as sistemin dhe me radhë se në vend që të kërkosh një pasaportë në dhjetë duhet të kërkosh një në njëqind. Informacioni i fundit që ministria ka është ai i fundit të muajit, të datës 28 shkurt dhe aplikimet për pasaportat biometrike, 515 mijë e 473. Të prodhuara dhe të shpërndara në komisariate, 474 mijë e 971. Të tërhequra nga qytetarët 394 mijë e 565”./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani