Prurjet arrijnë në 2200 m3/s, rritet prodhimi i energjisë elektrike
Dendësia e reshjeve të shiut ka rritur me dy metra gjatë 2 ditëve të fundit nivelin e ujit në hidrocentralin e Fierzës, i cili është edhe baseni më i madh i Kaskadës së Drinit.
Sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjetike, niveli në këtë HEC ka arritur në 290 metra, 6 metra larg pikës kritike, pavarësisht shkarkimeve që janë bërë përpara se të nisnin reshjet intensive.
Edhe Komani ndodhet vetëm 2 metra larg pikës kritike. Niveli i ujit në këtë hidrocentral është 173.4 metra mbi nivelin e detit, ndërsa në Vaun e Dejës kuotat ndodhen në 72.1 metra. Në total prurjet në kaskadë kanë arritur në 2200 m3/s, nga 1560 që ishin një ditë më parë, duke pësuar një rritje me 40% në 24 orët e fundit.
Aktualisht korporata është duke bërë shkarkime uji në nivelin e 500 m3/s nga porta e Vaut të Dejës.
Prodhimi i energjisë ka arritur në 22 milion kilovat orë në ditë duke mbuluar nevojat e konsumatorit vendas për energji, ndërsa vetë KESH është duke shitur në treg sasi të vogla. Vetëm nga operacionet e javës së fundit të ardhurat nga shitja e energjisë për korporatën kapin vlerën e 4 milion eurove.
Tv Klan