Reshjet e shiut të rëna me intensitet të lartë shkaktuan probleme serioze në qytetin bregdetar të Durrësit.

Emergjencat civile njoftojnë se uji ka depërtuar në brendësi të të paktën 40 banesave në Shkozet. Problematike është situata edhe në zonën e “Urës së Dajlanit”, ish-Kënetë, në kryqëzimin e stadiumit, te stacioni i trenit dhe në lagjen “17 Nëntori”. Banorët thonë se nuk dalin dot nga banesat e tyre për shkak të përmbytjes së rrugëve.

Emergjencat Civile u kanë ardhur në ndihmë 4 fëmijëve të bllokuar në një furgon shkolle dhe një familjeje. Në mbledhjen e emergjencave civile prefekti i Durrësit tha se situata po shkon drejt normalizimit dhe momenti kritik është tejkaluar.

Hidrovori po punon me kapacitet të plotë, ndërsa niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave dhe nuk përbën rrezik. Prezence të ujit edhe në sipërfaqe bujqësore në njësinë administrative Sukth.

Probleme nga reshjet e shiut këtë të mërkurë pati edhe në qytetin e Vlorës. Qendra e qytetit, zona pranë portit, rruga “Hasan Kushta” dhe lagjja pranë kishës ortodokse ishin zonat më problematike ku uji mbërriti deri në gjysmë metër lartësi.

Sipas parashikimeve nga instituti IGJEO në orët në vazhdim priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër.  Në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë reshjet do të shoqërohen me shtrëngata. Ndërsa Veri dhe Verilindje në lartësitë mbi 900 m nga niveli i detit priten reshje dëbore.

Tv Klan