Rritet tregu online i medikamenteve në Evropë. Në vend të parë renditet Gjermania, e ndjekur nga Franca dhe Italia. Tek fqinjët tanë, sipas statistikave, në vitin 2018, tregu online i ilaçeve ka faturuar 155 milionë euro, në 2019 240 milionë dhe ekspertët parashikojnë që këtë vit shitjet të kapin vlerën e 315 milionë euro.
Më shumë se 50% të shpenzimit total nga konsumatori, ka qenë për integratorët dhe ilaçet vetëkuruese, pra, për të cilat nuk nevojitet receta e mjekut. Ndërsa produktet farmaceutike për higjienën dhe bukurinë zënë 52 milionë euro në vit shpenzime.
Analistët e ekonomisë thonë se trendi në rritje i tregtisë online e produkteve farmaceutike ka një faktor kryesor, që është çmimi më i volitshëm. Aktualisht shifrat pavarësisht se janë rritur, tregu online zë rreth 2% të totalit të faturimit farmaceutik. Por ‘e-commerce’ duket se është një shërbim që konsumatori e kërkon dhe paraqet një perspektive të mirë për të ardhmen.
Përveç çmimit, që në internet ka më tepër konkurrencë, oferta, ulje dhe konsumatori zgjedh atë me të ulëtin, faktor tjetër në përzgjedhjen e këtij shërbimi është privatësia, pasi klienti qëndron anonim fizikisht. Por edhe komoditeti i një shërbimi 24 orë për 7 ditë të javës, është tjetër arsye që e josh klientin.
Klan Plus