Kompania më e madhe e prodhimit të naftës, Bankers Petroleum do të shpojë 40 puse të reja deri në fund të këtij viti. Pas një tkurrje që pësuan operacionet e saj dy vite më parë,  Bankers tashmë në pronësi të grupit kinez Geo Jade, ka çuar për këtë vit vlerën e investimeve në 90 milionë Dollarë.

Burime zyrtare nga kompania bëjnë me disa se aktualisht prodhimi mesatar ditor i naftës ka arritur në 15 mijë fuçi në ditë. Bankers planifikon që vitin e ardhshëm të ketë një program investimesh edhe më agresiv, ku planifikon 88 shpime të reja, me një investim që do të arrijë në 148 milionë Dollarë në fushën e Patoz Marinzës.

Burimet thonë se plani po ashtu do të varet edhe nga konjuktura e tregut të naftës në bursat ndërkombëtare, i cili është rritur muajt e fundit duke arritur në 75 dollarë për fuçi për naftën bruto.

Programi i operacioneve do të fokusohet në metodat e injekitmit të polimerit dhe ujit, por po ashtu kompania është duke përdorur një tekonologji unike e cila lidhet me injektimin e avullit gjatë operacioneve të saj.

Bankers Petroleum shfrytëzon prej 15 vjetësh fushën më të madhe naftëmbajtëse në Europë, Patoz Marinzën dhe mbulon 90% të prodhimit total të naftës në vend.

Kompania tkurri investimet dy vjet më parë për shkak të goditjes që morri çmimi i naftës në bursa, ndërsa ka vendosur t’i rikuperojë ato me rritje të operacioneve naftënxjerrëse.

Tv Klan