Ministri i Financave, Petrit Malaj ka zhvilluar një konferencë për shtyp në lidhje me zhvillimet e fundit ekonomike.
Gjatë fjalës së tij, Malaj ka thënë se sektori privat duhet të reflektojë të njëjtin trend që po ndjek edhe ai publik në lidhje me rritjen e pagave nëse do që të mbetet konkurrues në ekomoninë shqiptare.
Petrit Malaj: Unë gjykoj që të dyja nismat paralelisht, pra presioni pozitiv që po bën qeveria në aspektin e rritjes së pagave në sektorin publik, sikundër dhe lufta kundër informalitetit do të japë një rezultat pozitiv për sektorin privat. Ajo që duhet të kuptohet është se sektori privat duhet të reflektojë të njëjtin trend që po ndjek dhe sektori publik nëse do që të mbetet konkurrues në ekonominë shqiptare.
Më tej, Malaj është shprehur se masat e qeverisë lidhur me rritjen e pagave janë një mundësi e mirë që studentët shqiptarë të vijojnë karrierën në atdheun e tyre.
Petrit Malaj: Përsa i përket emigrimit të studentëve shqiptarë, çështja e lëvizjes së fuqisë punëtore është një fenomen që ndodh dhe në vende të tjera të rajonit. Qeveria ka marrë masa që të rrisë pagat, duke bërë që pagat të jenë mjaftueshëm atraktive edhe për studentët ekselentë që të vijojnë karrierën në territorin shqiptar.
/tvklan.al