Xhepa: Synimi i qeverisë për pagë mesatare 900 Euro do përmbushet nga reforma në sektorin publik
Synimi i qeverisë për të rritur nivelin e pagës mesatare në 900 Euro duket se do të përmbushet më shumë nga reforma në sektorin publik, sepse sektori privat, sipas ekspertiti të ekonomisë Salami Xhepa, po ecën me ritme më të ngadalta.
Salami Xhepa, ekspert ekonomie: Arritja e objektivit të qeverisë për pagë mesatare deri në 900 Euro duket qartazi që do të kontribuohet kryesisht nga reforma në sektorin publik ndërkohë që sektori privat po e ndjek, por me një ngadalësi të madhe dhe do të thoja me një mënyrë pak modeste. Rritja në sektorin privat ka qenë vetëm me 15% ndërkohë që në sektorin publik ka qenë gati 20% çka do të thotë që ritmet e rritjes janë shumë të avashta. Ndërkohë sektori privat është ai që prodhon punësim dhe produktivitet kështu që është ky sektor që duhet të mbështesë dhe rritjen e pagës në sektorin publik.
Sipas Xhepës edhe pse vendi ynë ka regjistruar rritje ekonomike ajo nuk përkthehet në mirqënie ekonomike për individin dhe familjen, ndaj duhet të bëhen reforma ekonomike që të sjellin një shpërndarje më të mirë të të ardhurave.
Salami Xhepa, ekspert ekonomie: Reformat që lidhen specifikisht me klimën e biznesit në vend dhe me krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për investimet. Së dyti krijimin e një sistemi të ri të insentivave ku bizneset të ndajnë më mirë të ardhurën kombëtare që krijohet duke prodhuar një model të një ekonomie më të balancuar në këndvështrimin e interesave dhe ndarjes së të ardhurës kombëtare. Kjo do të thotë një ekonomi që prodhon punësim më cilësor më dinjitoz dhe që e nxit edhe më shumë vëmendjen e të rinjve në veçanti për të mos iu drejtuar tregjeve të huaja, por për të qenë pjesë e tregut të brendshëm në ndërtimin e të ardhmes së tyre.
Sipas INSTAT paga mesatare mujore bruto në nivel kombëtar në fund të vitit 2023, arriti në 75 mijë Lekë. Për një të punësuar në sektorin shtetëror paga mesatare mujore është mbi 87 mijë Lekë ndërsa në sektorin privat është 69.400 Lekë.
Klan News