Në vjeshtë të këtij viti do të përfundojë asfaltimi i 23 kilometrave të segmentit të parë të Bypassit që lidh Vlorën me Peshkëpinë dhe Gjormin.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci inspektoi punimet në këtë kantier dhe tha se shumë shpejt do të nisin punimet për të përfunduar edhe dy lotët e tjerë të rrugës.

“Është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme për Vlorën dhe për gjithë Shqipërinë. Është një lidhje tjetër paralele me bregdetin e Shqipërisë dhe siç u informova nga Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, procedurat për dy lotët e tjera janë drejt përfundimit, do të thotë që brenda këtij viti ose le të themi maksimumi fillim vitin tjetër do të nisin punimet edhe për segmentet e mbetura”.

Projekti i rrugës së lumit të Vlorës do të përfundojë brenda dy viteve.

“Brenda dy viteve kjo rrugë do të jetë tërësisht e përfunduar dhe do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm për gjithë zonën e Lumit të Vlorës, për zonën e bregdetit”.

Dy segmentet e tjera që pritet të nisin punimet janë nga Ura e Gjormit te Ura e Laskos dhe më pas vazhdon deri në Qeparo dhe Kuç. Në total i gjithë projekti ka një gjatësi prej 74 kilometrash.

Tv Klan