Gjykata e Sarajevës ka dënuar Presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me 1 vit burgim, duke i ndaluar edhe ushtrimin e detyrës në krye të Presidencës serbo-boshnjake.
Dodik u dënua për shkak se nuk ka respektuar vendimet e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare që kujdeset për paqen në vend, Christian Schmidt.
Pas marrjes së vendimit, Dodik u ka thënë mbështetësve të mbledhur para Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska në Banja-Llukë, se “nuk ka arsye për shqetësim”.
“Më dënuan me një vit në burg. Thonë se jam fajtor. Nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Unë jam mësuar të përballem edhe me gjëra më të vështira, prandaj do ta përballoj edhe këtë. Kjo është një betejë vendimtare për të drejtat tona”.
Ky është dënimi i Shkallës së Parë, të cilin Dodik ka mundësi ta ankimojë. Vendimi i Shkallës së Dytë mund të shpallet në fund të vitit.
Asambleja Kombëtare e Republika Srpska ka udhëzuar përfaqësuesit serbë në institucionet shtetërore që të bllokojnë vendimmarrjen dhe reformat e ligjit, thelbësore për integrimin e Bosnjës në BE.
Dodik, aleat i Kremlinit dhe i shpallur non grata nga SHBA, ka kërcënuar në vijimësi se Republika Srpska se do të shkëputej nga federata e përbashkët me kroatët e boshnjakët.
Pas publikimit të vendimit për dënimin e aleatit të tij të ngushtë, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç thirri një seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.
Klan News