Administrata Trump vendos mbylljen e pjesës më të madhe të aktivitetit të USAID-it nëpër botë. Lajmin e bëri të ditur Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili në këtë postim në rrjetin social X tha se 83% e kontratave ose 5200 të tilla, është vendosur të anulohen.
Gati 1 mijë do të administrohen tani e tutje, në mënyrë më të efektshme, siç u shpreh ai, nga Departamenti Amerikan i Shtetit që drejtohet nga vetë Rubio.
Sekretari i Shtetit shprehet se dhjetëra miliarda Dollarë janë shpenzuar në mënyrë të panevojshme deri më sot dhe në disa raste i kanë bërë edhe dëm interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara ndryshe nga sa ka qenë qëllimi i vërtetë i kësaj agjencie.
Në postim, Rubio falenderon edhe departamentin këshillimor të drejtuar nga Elon Musk, që drejtoi këtë reformë. Ende nuk është bërë publike se ç’kontrata të USAID-it do të anulohen dhe në cilat vende të botës. USAID vepronte prej dekadash edhe në Shqipëri.
Agjencia vepron si e pavarur brenda administratës amerikane në mbështetje të proceseve demokratike të zhvillimit në vendet e varfra.
Tv Klan