Pas revolucionit të formatit të nisur këtë sezon, Liga e Kampionëve mund të sjellë një epokë të re, këtë herë në drejtim të komercializimit të të drejtave të saj televizive dhe në nivel global.

UEFA po mendon që të sjellë më shumë të ardhura për skuadrat, teksa aludohet se finalja e madhe të luhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithçka pritet të ndodhë nga viti 2027 deri në 2033. Kompania amerikane e specializuar në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive ka zhvilluar jo pak kompeticione në vitet e fundit.

Nga 2013 deri në 2019, skuadra kryesisht nga Europa zgjodhën SHBA-në për të luajtur turne miqësore.

Megjithatë, risia e vërtetë e kësaj marrëveshjeje potenciale për shfrytëzimin e të drejtave komerciale ka të bëjë me finalen e kompeticionit më të mirë evropian për klube, e cila sipas gazetës “The Independent” mund të luhet për herë të parë jashtë kontinentit evropian gjatë një prej edicioneve të ardhshme.

Një hipotezë që tashmë ishte marrë në konsideratë nga Presidenti aktual i UEFA-s, Aleksander Ceferin, i cili kishte thënë se ishte i hapur ndaj mundësisë në këtë front.

Klan News