Presidenti Donald Trump urdhëroi agjencitë amerikane që të punojnë ngushtë me këshilltarin e lartë Elon Musk për tkurrjen e fuqisë punëtore federale duke identifikuar punonjësit e qeverisë që mund të pushohen nga puna.
Me djalin e tij 4-vjeçar pranë, miliarderi Musk qëndroi pranë Trumpit në Zyrën Ovale e bëri të qartë se ai po drejtonte përpjekjet për të shkurtuar atë që ai e shihte si shpenzime të tepërta të qeverisë me urdhër të Trump.
I veshur me një kapelë “Make America Great Again”, njeriu më i pasur në botë u shpreh se në qeverinë federale ka disa punonjës të mirë, por ata duhet të mbajnë përgjegjësi për punën që bëjnë.
“Nuk mund të kesh një burokraci federale autonome. Duhet të kesh një që i përgjigjet njerëzve. Nëse njerëzit nuk mund të votojnë dhe vullneti i tyre të vendoset nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur atëherë ne nuk jetojmë në një demokraci, ne jetojmë në një burokraci. Pra, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne ta rregullojmë atë dhe që publiku, përfaqësuesit e zgjedhur presidenti, Dhoma dhe Senati të vendosin se çfarë ndodh në krahasim me një burokraci të madhe”, tha Elon Musk.
Kjo është hera e parë që Musk u pyet nga gazetarët që kur iu bashkua administratës së Presidentit Trump. Pavarësisht shqetësimeve për pak transparencë, Musk e cilësoi veten si një libër të hapur.
Në dokumentin e nënshkruar nga Trump, thuhet se agjencitë do të ndërmarrin plane për reduktimin e punonjësve federalë në shkallë të gjerë dhe do të përcaktojnë se cilët përbërës të agjencisë mund të eliminohen. Dokumenti gjithashtu thotë se agjencitë duhet të “punësojnë jo më shumë se një punonjës për çdo katër që largohen nga qeveria federale”. Përjashtime ka në rastet kur bëhet fjalë për emigracionin, zbatimin e ligjit dhe sigurinë publike.
Nga ana tjetër, Presidenti Trump dhe Elon Musk po u kërkojnë punonjësve federalë që të japin dorëheqjen në këmbim të stimujve financiarë, ndonëse plani i tyre është në pritje teksa një gjykatës po shqyrton ligjshmërinë e këtij urdhri.
Në bazë të planit, punonjësit që japin dorëheqjen do të paguhen deri më 30 Shtator. Zyrtarë të administratës thanë se më shumë se 65,000 punonjës e kanë pranuar ofertën.
Klan News