Dy ditë nga hyrja në fuqi e ligjit për ngritjen e komisioneve të tokës në prefekturën e Tiranës ku ka nisur të funksionojë kjo strukturë vendore për qarkun më të madh në vend janë regjistruar dhe ankesat e para nga qytetarët.
Ruzhdi Keçi: “Puna pothuajse ka nisur. Neve prej kohësh sapo njerëzit kishin dëgjuar për këto komisione ne na kishin ardhur letra, na kishin ardhur ankesa, kërkesa. Tashmë çdo gjë është gati dhe sigurisht që puna do të fillojë sipas procedurave.”
Në Tiranë në ligjin 7501 janë shpërndarë rreth 5200 hektarë tokë bujqësore sipërfaqe ku kanë qenë të shtrira tre ish-ndërmarrjet bujqësore të kryeqytetit, por shifrat për titujt e pronësisë të dhënë mbi këtë sipërfaqe të konsiderueshme janë kontradiktore.
Ruzhdi Keçi: “Nuk kemi një shifër të saktë. Flitet për disa shifra, të cilat nuk përputhen me njëra-tjetrën, por padyshim që shpejt me fillimin e procesit pikërisht në këtë do të synojmë të përcaktojmë saktë sa janë këto shifra”.
Në bazë të ligjit komisionet vendore të tokës do të verifikojnë titujt e pronësisë për të cilat ka ankesa nga qytetarët, por gjithashtu këto komisione kanë të drejtë të nisin verifikimin me iniciativën e tyre në rastet kur ka dyshime për abuzime.
Më pas nëse qytetarët nuk janë të kënaqur me vendimin që do të marrin komisionet lokale mund ta ankimojnë këtë vendim në komisionin qeveritar të tokës që drejtohen nga zv/kryeministri dhe më pas në gjykatë.
Kjo e fundit ka të drejtë të japë vendimin përfundimtar për titujt e pronësisë./tvklan.al