Ish-ministri i Brendshëm ka reaguar në rrjetet sociale pas daljes nga burgu ditën e sotme dhe pjesën e mbetur të dënimit rreth 1 vit e 8 muaj do ta vuajë në shtëpi.
Tahiri thotë se do të vazhdojë betejën për drejtësi, teksa padrejtësinë e njohu përballë.
“Do vazhdoj të kërkoj drejtësinë, siç kam bërë deri më sot. Të falenderoj me zemër ty që ke besuar gjithmonë te gjithçka jam e kam bërë unë! Faleminderit dhe ty që ke gënjyer gjithmonë, duke më kujtuar çmimin e të vërtetës. Pata mundësi të njihja padrejtësinë përballë. Tani kam mundësinë të kërkoj të drejtën pa kursim! Faleminderit pamasë të gjithë”, ka shkruar Saimir Tahiri në Facebook.
Ish-ministri i Brendshëm u lirua sot nga Gjykata e Elbasanit për të vuajtur në shtëpi dënimin e mbetur, për shkak se duhet të kujdeset për dy fëmijët e tij, pasi bashkëshortja është e pamundur për arsye të problemeve shëndetësore.
Lirohet nga burgu Saimir Tahiri. Ish-ministri do të qëndrojë 1 vit e 8 muaj në shtëpi
6 muaj nga përpjekja e parë dhe pas qëndrimit për 1 vit e 4 muaj në burg, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, arriti të binde Gjykatën e Elbasanit për ta nxjerr atë nga qelia e burgut të Kosovës në Lushnje, ku po vuante dënimin për “Shpërdorim detyre”.
Gjyqtarja Matilda Fetahu, me dakordësinë e prokurorit Mustafa Turku, vendosi ta nxjerrë këtë të premte Tahirin, në dënimin alternativ të qëndrimit në shtëpi, për 1 vit e 8 muaj.
Sipas urdhrit të gjykatës, ish-ministrit i lejohet të dalë nga shtëpia, vetëm për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare me dijeninë dhe dakordësinë e Shërbimit të Provës.
Në një prononcim për mediat, avokati Maksim Haxhia, tregoi kushtet që çuan në lirimin e tij.
“Duhet të ketë rrezikshmëri të ulët shoqërore. Kuptohet që është dënuar për shpërdorim detyre që gjasat janë me ndryshimet e reja që mund t’i bëhen Kodit Penal, të hiqet fare si vepër penale. E dyta vetë personi të paraqesë rrezikshmëri shoqërore të ulet. Kuptohet që Tahiri në këtë rast s’mund të pretendohet që ka rrezikshmëri të theksuar shoqërore për këtë vepër. E treta është t’i ketë ngelur më pak se 2 vjet. E katërta të ketë fëmijë të mitur në ngarkim, që i ka dy fëmijë. Dhe e pesta është që bashkëshorti i lirë, që nuk është i dënuar, duhet që të jetë në pamundësi shëndetësore dhe në këtë rast bashkëshortja e Saimir Tahirit vuan nga një sëmundje që kur e kapin krizat, sëmundje e cila është arritur dhe me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, të jetë në pamundësi për t’u shërbyer fëmijëve”.
Haxhia nuk kurseu ironinë, teksa tregoi për mediat, edhe bisedën e Tahirit me një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore që u lirua nga burgu i Kosovës disa muaj më parë.
“Duke dalë i tha, zoti Tahiri më vjen turp që dal unë nga burgu dhe rrini ju…”
Ish-ministri u dënua në shkurt të 2022 me 3 vjet e 4 muaj burgim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, me argumentin se kishte mbajtur kontakte me kushërinjtë e tij Habilaj, të cilët merreshin me kultivim dhe trafik të kanabisit.
Ai u akuzua nga Prokuroria e Posaçme për përfshirje në grupin kriminal që trafikonte lëndë narkotike, por sipas dy gjykatave, këto akuza nuk u provuan. Beteja e fundit e ish-ministrit është në Gjykatën e Lartë, ku SPAK ka kërkuar edhe njëherë dënimin e tij me 12 vjet burgim.