Rritja  e numrit të studentëve, përmirësimi i cilësisë akademike dhe infrastrukturës në universitetet publike vazhdojnë të jenë ndër prioritetet kryesore të qeverisë Berisha dy.

Me këtë filozofi Universitetit Politeknik të Tiranës i është shtuar edhe një godinë e re, ajo e Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Fizike.

Gjatë inaugurimit të këtij investimi të qeverisë kryeministri Berisha theksoi se numri i studentëve ka ardhur në rritje, gjë e cila do të vijojë edhe në tre vitet e ardhshme.

Sali Berisha: “Kemi arritur sot në katër vite që në dyert e universiteteve tona, në bankat e tyre të ulen jo më 52 mijë të rinj, sa ç’ishin në vitin 2005, por të ulen 135 mijë. Akoma nuk kemi arritur objektivin tonë se ne do bëjmë çdo gjë, që çdo maturant që dëshiron të vazhdojë shkollën e lartë dhe universitetin, t’i ketë plotësisht të hapura edhe mbi bazën e meritës së tij dyert e tyre. Ne do bëjmë çdo gjë që këto tre vite të kapim mesataren evropiane dhe ta tejkalojmë atë, por ne do bëjmë çdo gjë që të krijojmë kushtet më moderne për shkollimin më cilësor tuajin. Nuk do të ketë asnjë kufizim në financimin e teknologjive më moderne, më të avancuara për pajisjen e universiteteve, fakulteteve, departamenteve tona. Ka vetëm një sektor në të cilën unë bëj thirrje. Të shtojmë numrin e pedagogëve dhe punonjësve, dhe kjo është fusha e arsimit të lartë e universiteteve për t’iu përgjigjur me staf pedagogjik numrit të rritur të studentëve në universitetet tona.”

Po ashtu, kryeministri Berisha kërkoi nga rektorët e universiteteve që të merret me hartimin e kurrikulave, për të cilat shtoi se mund të kontraktohen specialistë të huaj.

Një vëmendje të veçantë ai i kushtoi edhe brezit të të rinjve që diplomohen me nota të larta në universitetet e huaja, si një kontingjent që nuk duhen lënë jashtë stafeve akademike./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami