Nesër (12 Mars) është afati i fundit për listat e deputetëve për zgjedhjet parlamentare. Pritet që secila parti të dorëzojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listën e plotë të kandidatëve në 12 qarqe të vendit.
Pritet të shohim se sa prej figurave të PD-së që kanë marrë shumicë votash nga procesi i Primareve do të jenë zyrtarisht në garë elektorale, patjetër në raport me preferencat që kanë dhe partitë e tjera aleate. Kjo pasi Partia Demokratike do të shkojë në zgjedhjet e Majit në koalicion me 25 parti të tjera. Koalicioni që mban emrin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” u prezantua zyrtarisht dje, ku mbajti fjalën edhe kryedemokrati Sali Berisha.
Pjesë e Primareve u bë thuajse i gjithë grupi parlamentar i PD-së, me përjashtim të 5 deputetëve. Por pavarësisht votës së Anëtarësisë, vendimin final e merr Kryesia e kësaj force politike.
Në krahun tjetër, kryesocialisti Edi Rama zhvilloi takimet traditë me ministra e drejtues politikë për 3 ditë me radhë. Fokusi ishte te përgatitja për zgjedhjet e 11 Majit, çështja e integrimit në BE dhe veçanërisht te hartimi i listës së plotë të deputetëve.
Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, Rama qartësoi skemën e përzgjedhjes së ekipit të tij garues.
“Luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë”, tha ai, duke theksuar se deputetët aktualë duhet të jenë në listë të hapur. Në rast se nuk dëshirojnë, duhet të njoftojnë paraprakisht. Për veten, deklaroi se ende nuk ka marrë një vendim, por gjasat janë të mëdha që të mos kandidojë, për shkak të detyrës që ka dhe për t’u lënë hapësirë të rinjve.
/tvklan.al