Lajme Arkiva 2003
Procesi i parë dhe pas zgjedhor ka përkeqësuar marrëdhëniet mes opozitës dhe Presidentit të Republikës. Shtypi afër Partisë Demokratike ka akuzuar disa herë këshilltarët e presidentit Moisiu si lojtarë të kryeministrit Nano.
Sipas opozitës Presidenti i Republikës gaboi rëndë me kalimin në KLD të emrit të Dëshira Subashit si anëtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa kandidati i Partisë Demokratike për kryeqytetin nisur nga anomalitë në proces i kërkoi presidentit që ta ndihmonte opozitën duke dhënë dorëheqjen.
Për herë të parë ndaj Moisiut ka mbajtur një qëndrim të fortë edhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha.Në emisionin opinion të gazetarit Blendi Fevziu ai ka theksuar jo vetëm qëndrimin ndaj procesit zgjedhor, por edhe inaktivitetin e Moisiut perballë krizës qeveritare.
Sali Berisha: Askush tjetër në Shqipëri nuk ka përgjegjësin më shumë se ai të zgjedhjes së kësaj krize, sepse është kryetari i shtetit. Kur them kryetar i shtetit është kryetar i pushteteve. Shteti ndërtohet nga pushteti sado simbolik që të jetë ai dhe vetëm ai me instrumentet e shtetit mund të zgjidhë krizën. Ai dhe vetëm ai mund ti thotë kryeministrit,zoti kryeministër, unë qeveri këtij kombi dhe këtij vendi pa ministër të jashtëm nuk e lejoj.
Edhe një ditë më pas gjatë prezantimit të dosjeve voluminoze për manipulimin e zgjedhjeve në Himarë dhe në tiranë, Berisha ka përsëritur rezervat e tij ndaj kreut të shtetit.
Sali Berisha: Nuk ma merr mendja që presidenti kërkon besim më tutje. Për problemin e zgjedhjeve, e theksoj, është tërësisht për fat të keq, u bë bashkautor në shkatërrimin e konsensusit që u arrit për kodin zgjedhor dhe komisionin zgjedhor dhe për hir të së vërtetës atë lexim që i bëri ligjit Servet Pëllumbi, presidenti lexoi ligjin me gjyzlykët e Fatos Nanos./tvklan.al