Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, do të presë më 16 maj në Kotorr një samit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Një ditë para Samitit të liderëve mbahet takimi i ministrave të çështjeve evropiane dhe financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe organizatave partnere.
Ky plan përfshin 6 miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimin Evropian, pra 2 miliardë në grante dhe 4 miliardë në kredi të buta të garantuara nga BE.
Në samit është paralajmëruar pjesëmarrja e Komisionerit të BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhely dhe Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, James O’Brien. Në muajt e kaluar, në Shkup dhe Tiranë janë mbajtur takime ministrore dhe samite rajonale të liderëve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së është diskutuar për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Klan News