Tetë fitore radhazi në kampionat dhe në krye të renditjes së Seria A. Simone Inzaghi është në kërkim të trofeut të parë si trajner i Interit. Në Superkupën e Italisë ndaj Juventusit, trajneri Italian do të rikthejë në mesin e fushës, Çalhanollu dhe duhet të zgjedhë nëse do të konfirmojë Sançez në krah të Lautaros, apo t’i besojë Xhekos me synimin e qartë fitoren.
“Nuk ka favorit në këto ndeshje. Ne takojmë një ekip të shëndetshëm që në fundjavë përmbysi një ndeshje të pabesueshme. Ata ishin favoritë të qartë për titullin kampion në fillim të sezonit, por parashikimet ndryshuan. Kam fituar dy finale ndaj tyre me Lazion, por humba edhe një finale të Kupës së Italisë. Do të përpiqemi për t’i dhënë një ndeshje të pabesueshme tifozëve tanë.
Një mal me mungesa e pret Juventusin në këtë përballje. Tekniku, Allegri nuk do të ketë në dispozicion Shezni, Kiezën dhe De Ligt.
‘Do luajmë kundër më të fortëve në kampionat dhe do të jetë një ndeshje e bukur. Çdo rezultat që dhuron kjo përballje, nuk do të ndikojë në rrugën tonë. Nuk e di nëse Inter do të hapë një cikël fitues. Duhet të përpiqemi të ngushtojmë diferencat me ta në krye të renditjes dhe për tu kthyer në luftën për Skudeto”
Inter synon të rikthehet tek lavdia në këtë turne pas 10 vitesh mungesë, ndërsa për Juventusin, përballja e ‘San Siros’ do të jetë finalja e 10-të radhazi në Superkupën e Italisë.
Klan News