Rubla ra në nivelin më të ulët këtë muaj kundrejt dollarit pas sanksioneve të reja të SHBA-së ndaj Rusisë që detyruan Bursën e Moskës të ndalonte tregtimin e dollarit dhe euros.
Sanksionet ndaj Rusisë, përfshijnë shënjestrimin e kompanive me bazë në Kinë që shesin gjysmëpërçues në Moskë. Nga këto sanksione pritet të preken edhe të gjitha ato institucione të huaja financiare që bashkëpunojnë me ato ruse.
Rusia gjithashtu nuk do të ketë mundësinë të importojë nga vendet e tjera produkte të prodhuara në Amerikë.
“Për herë të parë, SHBA po zhvendoset drejt diçkaje që mund të konsiderohet një përpjekje për të vendosur një embargo financiare globale ndaj Rusisë,” thotë Peter Harrell, i cili shërbeu si drejtor i lartë i Shtëpisë së Bardhë për ekonominë ndërkombëtare në 2021 dhe 2022.
Shumë analistë nuk presin që sanksionet e reja të ndryshojnë llogaritjet e presidentit rus Vladimir Putin, por ata besojnë se ato do ta bëjnë më të vështirë për Moskën të financojë luftën në Ukrainë dhe me kalimin e kohës, do të dobësojnë ekonominë e Rusisë.
Klan News